Manchester City me golat e Gundogan e mposht Leeds Unitedin, Chelsea më në fund shënon fitore - NACIONALE

Manchester City me golat e Gundogan e mposht Leeds Unitedin, Chelsea më në fund shënon fitore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City ka shënuar fitore komode me rezultat 2:1 ndaj Leeds United me dy golat e shënuar nga Ilkay Gundogan në pjesën e parë, kështu tani duke shkuar në +4 pikë larg vendit të dytë, Arsenalit. Chelsea në anën tjetër ka arritur deri te fitorja e parë në epokën e Frank Lampard, duke mposhtur Bournemouth 3:1.

Qytetarët kanë hyrë në një seri pozitive, me pesë fitore radhazi, duke përfshirë fitoren në gjysmëfinale të FA Kupës, rezultate të cilat sollën edhe pozitën e parë në renditje, duke i rrëzuar nga froni topçinjtë, që qëndruan që nga fillimi i kampionatit.

Manchester City – Leeds United

Skuadra e Pep Guardiolës e dominoi tërësisht takimin, duke mbajtur posedimin e topit në 80 % të kohës, teksa rrezikoi disa herë, nga ku u shënuan dy golat e takimit.

Mesfushori turk me nënshtetësi gjermane, Gundogan ishte në formë të lartë duke shënuar të dy golat, teksa pati mundësi të shënonte het-trik, por e humbi penalltinë në minutat e fundit.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 19-të, kur Mahrez e gjeti në zonë Gundoganin, i cili me një goditje shumë precize gjeti këndin e djathtë, për të shënuar për 1:0.

Vetëm tetë minuta më pas, sërish ishte kjo dyshe që mori pjesë për golin 2:0, me Ilkay Gundogan që shënoi gol akoma më të bukur.

Pjesa e parë e takimit u mbyll me këtë rezultat, teksa në të dytën sërish ishin qytetarët që kishin më shumë nga ndeshja, por që dështuan të shënojnë.

Gundogan humbi mundësinë për het-trik, kur dështoi të shënonte nga pika e bardhë në minutën e 84-të.

Teksa vetëm pak sekonda më pas, Leeds United, arriti ta ngushtojë rezultatin, me golin e Rodrygos për 2:1, që në fund doli të ishte epilogu final i takimit.

Manchester City tani me ndeshje të barabarta me Arsenalin, ka katër pikë më shumë në krye të renditjes, ndërsa Leeds United rrezikon rënien nga elita.

Bournemouth – Chelsea

Chelsea ka arritur ta gjejë fitoren, pas nëntë takimeve me plot rezultate negative. Të kaltrit mposhtën në udhëtim Bournemouthin me rezultat 3:1.

Ishte mesfushori anglez, Connor Gallagher që shënoi herët për 1:0, i asistuar nga N’Golo Kante.

Vendasit reaguan duke barazuar rezultatin në minutën e 21-të, kur Matias Vina shënoi për 1:1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Dy golat e fitores erdhën në 10 minutat e fundit. Fillimisht mbrojtësi Badiashile shënoi për kthimin e epërsisë, tani 2:1 në minutën e 82-të.

Teksa për rezultatin përfundimtar shënoi Joao Felix në minutën e 86 për 3:1, e Sterling ishte në rolin e asistuesit.

Me këtë fitore, Chelsea përkohësisht ngjitet në pozitën e 11-të, teksa Bournemouth mbetet në vendin e 14-të.

Lajme të ngjashme