Manchester City e vazhdon rrugën drejt tripletës, e mposht Newcastle Unitedin dhe arrin në gjysmëfinale të Kupës FA
Manchester City po vazhdon me paraqitje të mira edhe këtë sezon, pasi fituan tripletën sezonin e kaluar. Ata janë në garë sërish për ta bërë të njëjtën gjë, pasi triumfuan në çerekfinale të Kupës FA 2:0 ndaj Newcastle United, për të shkuar në mesin e katër skuadrave më të mira.
Skuadra e Pep Guardiolës nuk ka treguar aspak që është ngopur nga sukseset, pasi është në pozitë të mirë në Premierligë, për ta mbrojtur titullin e kampionit, ndërsa edhe në Ligë të Kampionëve ka arritur në çerekfinale, ku takohet me Real Madridin.
Qytetarët ishin dominues në Etihad Stadium, ashtu si në çdo ndeshje në vitet e fundit, duke poseduar topin, teksa krijuan disa raste shënimi, por vetëm dy i konkretizuan në gol.
Të dy golat e takimit u shënuan në pjesën e parë, që mbanin emrin e të njëjtit futbollist, magjikut portugez, Bernardo Silva.
Zhvillohej minuta e 13-të e takimit, kur Rodri asistoi për Silvan, i cili gjuajti në drejtim të portës dhe me ndihmën e devijimit shënoi për 1:0.
Silva shënoi edhe të dytin personal në minutën e 31-të, kur pranoi një top nga Ruben Dias. Ai lansoi një goditje shumë të mirë, por që edhe në këtë rast devijimi mashtroi portierin kundërshtar.
Manchester City krijoi edhe disa raste të tjera, por gola nuk pati më në këtë takim, me Qytetarët që fituan 2:0 dhe siguruan gjysmëfinalen e Kupës FA.
Çerekfinalja tjetër që u zhvillua sot i takoi Coventryt që e mposhti Wolvesin me rezultat 3:2.
Dy çerekfinalet tjera janë: Manchester United - Liverpool dhe Chelsea - Leicester.