Manchester City e mposht Evertonin fal dy golave të Haalandit dhe rrëmben kreun e Premierligës
Manchester City ka triumfuar ndaj Evertonit me rezultat komod 2:0, ani pse të dy golat e takimit erdhën në 20 minutat e fundit të takimit. Qytetarët tani kanë rrëmbyer vendin e parë, ani pse kjo mund të zgjasë vetëm pak orë.
Heroi i këtij takimi ishte Erling Haaland, që shënoi të dy golat e fitores. Sulmuesi norvegjez kishte plot 77 ditë pa shënuar gol, për shkak të lëndimit të tij dhe të dy ndeshjeve të kaluara pa çuar topin në rrjetë.

Manchester City i Pep Guardiolës ishte dominuese në fushë, duke mbajtur posedimin e topit në 75% të kohës së plotë, por rastet e pastërta munguan, apo më mirë të themi dy goditjet e vetme të Qytetarëve ishin ato që përfunduan në rrjetë.
45 minutat e para u mbyllën me rezultatin 0:0, me kampionët që mbanin topin por që nuk rrezikuan për asnjë moment.
Dy golat e fitores u shënuan në pjesën e dytë. Zhvillohej minuta e 71-të kur në një tollovi në zonë, Ake pasoi te Erling Haaland, që me një goditje të fortë në afërsi shënoi për epërsinë e parë në takim, 1:0.
Haaland shënoi edhe golin e dytë. Kevin De Bruyne asistoi për norvegjezin, i cili mori topin bukur, për të kaluar një futbollist dhe për të shënuar qetësisht për 2:0, i cili ishte epilogu final i takimit.
Manchester City tani shkon në seri prej gjashtë ndeshjeve radhazi me fitore në Premierligë, rezultate këto që ia mundësojnë vendin e parë në Premierligë edhe pse kjo ka gjasa të jetë për vetëm pak momente.