Man Utd konsideron ndërprerjen e kontratës së Jadon Sanchos
Manchester United ka mbajtur diskutime për ndërprerjen e mundshme të kontratës së Jadon Sanchos, në rast që klubi dështon të gjejë klub të ri për anësorin.
Anglezi stërvitet i vetëm që kur prishi marrëdhëniet me trajnerin Erik ten Hag, ndërsa në këtë afat dimëror pritet të bëhet me skuadër të re.
Man United preferon shitjen e Sanchos por vetëm pak klube në botë mund ta paguajnë pagën e tij prej 250 mijë funte për javë, si dhe kartonin prej 50 milionë funteve.
Sipas “Sky Sport”, “Djajtë e Kuq” janë në dijeni se ekziston shansi që Sancho të mbetet përtej janarit prandaj po diskutohet mundësia që t’ia ndërpresin kontratën.
Raporti shton se në këtë rast rivali Arsenal është shembull për t’u ndjekur, pasi i ndërpreu kontratën dy ish yjeve si Mesut Ozil dhe Pierre-Emerick Aubameyang që gjithashtu nuk po kalonin mirë me Mikel Artetan.
Juventus mbetet destinacioni favorit për Sanchon, mirëpo interesim për ta huazuar kanë shprehur edhe dy klubet gjermane, Borussia Dortmund dhe RB Leipzig.