Man United nis negociatat me Chelsean për Mason Mount
Manchester United ka nisur negociatat me Chelsean për transferimin e mesfushorit Mason Mount, se paku kështu raporton “The Times”.
“Djajtë e Kuq” ende nuk kanë bërë ndonjë ofertë zyrtare për anglezin, por ia kanë bërë të qartë Chelseas se e duan transferimin e anglezit.
Përpos kësaj, Man United është optimist i madh se do të arrijnë një marrëveshje me klubin londinez, ku oferta e parë pritet të bëhet pasi ta kryejnë sezonin (pra ndeshjen ndaj Man Cityt).
Chelsea momentalisht nuk dëshiron shitjen e Mount, mirëpo lojtari tashmë ka vendosur për një sfidë të re larg “Stamford Bridge”.
Dy palët kanë ngecur në negociata për rinovimin e kontratës që nga viti i kaluar, kësisoj pritet t’i ndajnë rrugët gjatë afatit kalimtar veror.
Raporti shton se arsyeja kryesore që s’është gjendur ‘gjuha e përbashkët’ ka të bëjë me kërkesat për pagë të futbollistit si dhe bonuset. Në muajin shkurt klubi i kishte ofruar rinovim njëvjeçar me rritje page që lejon të vazhdohen negociatat, por propozimi u refuzua.
Kështu, u mor vendimi që negociatat të vazhdojnë në qershor pasi drejtori sportiv Laurence Steward bisedoi me Mountin, mirëpo pastaj anglezi preferoi të mos i vazhdonte ato.
Përpos Man United, situatën po e vëzhgojnë edhe Liverpool, Arsenal dhe Bayern Munich, mirëpo “Djajtë e Kuq” momentalisht janë vendi i preferuar për lojtarin.
Chelsea është e gatshme edhe ta humbasë Mountin si lojtar i lirë vitin tjetër, nëse nuk merr ndonjë ofertë të lartë gjatë verës.
