Malisheva e mposht Dukagjinin e Ismet Munishit, Gjilani shënon fitore të thellë ndaj Feronikelit 74 - NACIONALE

Malisheva e mposht Dukagjinin e Ismet Munishit, Gjilani shënon fitore të thellë ndaj Feronikelit 74

1 vit më parë

nga NACIONALE

Janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 14-të të Superligës së Kosovës, ku Malisheva e ka ndërprerë serinë e suksesshme të Dukagjinit duke fituar me rezultat 2:1, e në anën tjetër Gjilani ka shënuar fitore 3:0 ndaj Feronikelit 74.

Malisheva që erdhi nga humbja ndaj Ballkanit, e ka ndërprerë serinë prej pesë ndeshjeve pa humbje të Dukagjinit të Ismet Munishit, në ndeshjen që u zhvillua sot në stadiumin Liman Gegaj në Malishevë.

Vendasit kaluan herët në epërsi, pasi realizuan nëpërmjet Drilon Hazrollajt në minutën e 19-të, kur u asistua nga Laurent Xhylani.

Dukagjini u kthye në lojë në minutën e 43-të, duke barazuar në 1:1 me golin e Theophilus Solomon, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.

Malisheva nuk vonoi dhe 11 minuta pasi filloi pjesa e dytë e riktheu epërsinë, me golin e Laurent Xhylanit, për rezultatin 2:1.

Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat dhe Malisheva e Bekim Isufit u kthye te fitoret.

Në përballjen tjetër të zhvilluar në Drenas, Feronikeli 74 e pësoi humbjen e radhës, tani duke u mposhtur 3:0 nga Gjilani.

Senad Jarovic shënoi për 1:0 në minutën e 10-të, teksa Albin Prapashtica ishte në rolin e asistuesit.

11 minuta më vonë, Edi Basa asistoi për Oltion Bilallin, me këtë të fundit që dyfishoi rezultatin.

Edi Basa shënoi në minutën e 62-të golin për rezultatin përfundimtar 3:0.

Feronikeli nuk di për fitore këtë sezon të Superligës, tani kur i ka zhvilluar 14 ndeshje.

Lajme të ngjashme