Maldini thotë se s’është çudi ajo që po ndodh me Milanin: Jemi aty ku duhet të jemi - NACIONALE

Maldini thotë se s’është çudi ajo që po ndodh me Milanin: Jemi aty ku duhet të jemi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori sportiv i Milanit, Paolo Maldini, ka thënë se pritjet janë rritur shumë për Milanin, pas fitimit befasues të titullit në Serie A sezonin e kaluar, duke këmbëngulur se ajo çfarë po ndodh nuk është katastrofë dhe se pozita në të cilën ndodhet ajo është brenda parametrave të skuadrës.

Lazio e shkatërroi Milanin 4:0 të martën në një ndeshje të Serie A, duke ia shuar shpresat për ta mbrojtur titullin.

Milani është padyshim në krizë, pasi gjatë dy javëve të fundit i ka fituar vetëm dy pikë nga tri ndeshje në ligë, ra nga Kupa e Italisë pasi u mposht nga një Torino me 10 futbollistë dhe pësoi disfatë turpëruese 3:0 kundër rivalit Inter në finale të Superkupës së Italisë.

Në vitin 2022, një fitore në frymën e fundit kundër Lazios në udhëtim ishte çasti kur Milani e kuptoi se do ta fitonte titullin, prandaj çfarë mund të nënkuptoi disfata e djeshme 4:0?

Sezonin e kaluar ne e dinim se po luftonim për titull shumë kohë para se të fitonim ndeshjen këtu, jo nga fillimi por pas disa ndeshjeve”, tha Maldini për DAZN.

“Është e qartë se tani ndodhemi në një moment tjetër. Ramë nga kupa, u rrahëm keq nga Interi, pra dy synime kanë ikur tashmë. Ne i pranuam 11 gola në tri ndeshjet e fundit, prandaj jemi në rënie”.

Ai shtoi: “Duhet ta kujtojmë se kjo nuk është një katastrofë, sepse me gjithë respektin për këtë rënie tani, ne jemi në vendin e dytë. Sezonin e kaluar ne ishim në Ligën e Kampionëve për herë të parë pas shtatë viteve dhe e fituam titullin pas një dekade, prandaj pozita jonë aktuale është brenda parametrave të klubit”.

Maldini beson se pritjet ndaj Milanit janë rritur tej mase pas fitimit të titullit sezonin e kaluar, i cili ishte dukshëm i befasishëm, me tifozët që po kërkojnë blerje të mëdha tani.

Lajme të ngjashme