Luis Suarez drejt ribashkimit me Leo Messin, arrin marrëveshje me Inter Miamin
Sulmuesi Luis Suarez do t’i bashkohet Inter Miamit në javët në vijim, me marrëveshjen që është finalizuar mes dy palëve, raporton “90min”.
Uruguaiani ishte i interesuar për t’iu bashkuar skaudërs amerikane edhe gjatë verës, sidoqoftë kishte kontratë me Gremion andaj edhe ëndrra s’iu realizua.
Sidoqoftë, tani thuhet se Inter Miami e ka aktivizuar një klauzolë lirimi në kontratën e Suarezit, që nënkupton se do t’iu bashkohet në javët në vijim.
Largimin nga Gremio e konfirmoi vetë Suarez ku përmes një postimi në rrjetet sociale shkroi: “Unë dhe familja ime duam t’iu falënderojmë të gjithëve për dashurinë gjatë kohës që jetuam në Arena do Gremio. Ishte e pabesueshme, e paharrueshme që do të mbetet në zemrën tonë”.
Raporti shton se në ditët në vijim Suarez do ta kompletojë kalimin te Inter Miami, pra pasi të hapet zyrtarisht afati dimëror më 11 dhjetor.
Kështu, Suarez do të luajë prapë me ish lojtarët si Jordi Alba, Sergio Busquets dhe kuptohet Leo Messi. Hera e fundit kur këta të katërt luajtën së bashku ishte në vitin 2020, para se uruguaiani t’i bashkohej Atletico Madridit.
Tani të katër do të kenë një synim që është fitimi i Major League Soccer për herë të parë në historinë e klubit që drejtohet nga David Beckham.