Luis Enrique e nis fuqishëm te PSG-ja, tenton Joao Felixin
PSG është duke shpresuar të arrijë marrëveshje me Atletico Madridin për shërbimet e sulmuesit Joao Felix.
Portugezi s’është në planet e Diego Simeone, duke kaluar edicionin e kaluar në formë huazimi te Chelsea, por kjo e fundit vendosi të mos e blejë shkaku i zgjedhjes së trajnerit Mauricio Pochettino.
Sipas “Relevo”, trajneri i ardhshëm i PSG-së Luis Enrique dëshiron që Felix të jetë nënshkrimi i tij i parë në “Parkun e Princave”.
Portugezi nuk do të vazhdojë edicionin tjetër te Atletico dhe raportet e mira të agjentit Jorge Mendes me të dy klubet do të ndihmojnë që një marrëveshje të arrihet shumë shpejtë.
Enrique, që e fitoi tripletën me Barcelonën në vitin 2015, pritet të zyrtarizohet si pasuesi i Christophe Galtier te “Parisienët” në ditët në vijim.
Tekniku spanjoll e sheh Felixin si lojtari adekuat për ta zëvendësuar Lionel Messin, i cili iu bashkua skuadrës amerikane Inter Miami.
Sidoqoftë, PSG pritet të mos ngutet në këtë transferim meqenëse e ardhmja e Kylian Mbappes vazhdon të jetë në dyshime dhe në rast që qëndron atëherë një lëvizje e tillë do të bëhej edhe më problematike.
Enrique thuhet se ka vendosur të mos e shesë Neymarin, pasi e njeh nga koha te Barcelona ku fituan shtatë trofe së bashku, andaj po ëndërron një sukses të njëjtë sërish, veçse kësaj radhe në Francë.
Në anën tjetër, Felix është i hapur për të gjitha mundësitë vetëm që të largohet nga “Wanda Metripolitano”, shkaku i raporteve jo të mira me Simeonen.