Luan Krasniqi: Jam i bindur se Marku do të triumfojë kundër Ramirez
Florian Marku nesër do ta zhvillojë ndeshjen për titullin ndërkombëtar WBC Silver në kategorinë e peshave gjysmë të mesme kundër Miguel Parra Ramirez, dhe për këtë ish-boksieri kosovar, Luan Kransiqi është shprehur i bindur se Marku do ta fitojë këtë meç.
Ai në një status në rrjetin social Facebook, ka shkruar: “Nesër, në Tiranë, Florian Markun e pret një luftë e rëndësishme. Jam i bindur se me talentin e veçantë dhe vullnetin e vendosmërinë e tij, do të triumfon si edhe në luftën e kaluar. Unë e përgëzoj dhe uroj që me suksesin e tij të na gëzon edhe mëtej!”
Marku, kampion në fuqi në IBF internacional, do të përballet me meksikanin Ramirez në stadiumin “Air Albania” në Tiranë nesër më 25 gusht, për titullin WBC silver që ka mbetur vakant.
Kjo është vetëm ndeshja e dytë e Ramirezit jashtë shtetit të tij Meksikës, ndërsa Marku ashtu siç ka premtuar për një ndeshje në vendlindjen e tij, ka arritur ta realizojë ëndrrën, duke qenë meçi i parë i tij në Shqipëri, pasi që e dimë se ai është banor rezident i Anglisë.
Stadiumi Air Albania, aty ku luan Kombëtarja e Shqipërisë, ka kapacitet prej 20 mijë shikuesve, dhe nesër pritet që të jetë plotë me tifozë, në përkrahje të Markut, drejt titullit kampion.
Marku, pasi bëri një karrierë të jashtëzakonshme në Angli duke fituar edhe epitetin si “Mbreti shqiptar”, do të luftojë për herë të parë në atdheun e vet, Shqipëri. 29-vjeçari nga Lushnja është ende i pamposhtur dhe llogaritë në përkrahje masive që të vazhdojë rrugën pa humbje.
Ai deri më tani në boksin profesionist ka zhvilluar 12 ndeshje, duke fituar 11 nga to dhe në një tjetër është ndarë në paqe me kundërshtarin. Në 11 fitore, Marku ka fituar shtatë me KO.

Ndërsa kundërshtari i tij meksikan, ndonëse ka rekord të mirë, nuk është ’i pathyeshëm’, pasi që në 24 ndeshje të zhvilluara deri më tani ka 21 fitore, dy humbje dhe një barazim, duke fituar 19 ndeshje me KO.

Ashtu si Marku, edhe meksikani ka ardhur për fitore dhe në një intervistë për Gazetën Nacionale, ai ka thënë: “E di që ai (Florian Marku) është favorit dhe do të ketë një mbështetje të madhe nga njerëzit e tij, fakti që është në shtëpi nuk do të thotë se ai nuk do ta ndjejë mbështetjen e tifozëve të mi. Personalisht, nuk kam probleme me tifozët. Më pëlqejnë sfidat dhe shpresoj të fitoj para syve të shqiptarëve me boksin tim”.
Mbrëmja në Air Albania do të jetë e gjatë pasi që do të ketë shumë meçe për t’u zhvilluar, ku në fund si ngjarje kryesore do të jetë ndeshja mes Florian Markut dhe Miguel Ramirez.
Ndeshjet tjera janë këto:
Amarildo Vraja vs. Borislav Velev;
Patrizio Santini vs. Daniel Ibarguen;
Leandro Xhelili vs. Victor Lucas;
Muhamet Qamili vs. Yin Caicedo;
S. Dredhaj vs. A. Petrovic;
Spiridhon Ymeri vs. Dmytro Bereznii;
Matteo Celo vs. Radoslav Mitev;
Marinela Cani vs. Gulay Bozdogan;
Gelian Rojku vs. Sinan Gungor.

