Loriana Kuka fantastike ndaj sllovenes, fiton me ippon dhe kalon në 1/8 e finales
Xhudistja kosovare, Loriana Kuka, e ka filluar në mënyrën më të mirë rrugëtimin e saj në Lojërat Olimpike Paris 2024, duke fituar me Ippon garën e saj të parë, në kategorinë deri në 78 kilogram, ku përball e pati sllovenen Metka Lobnik.
Pas medaljes së argjendtë të Distrias, luftës së mirë të Akilit, eliminimit të Norës e medaljes së bronztë të Laurës, radha erdhi te Loriana që është e fundit nga Xhudo që prezanton Kosovën në Paris.
Ashtu siç pritej, Kuka, e filloi shumë mirë, pra me fitore.
Ajo ishte favorite në këtë takim, dhe nuk la vend për befasi.
27-vjeçarja fitoi luftën me Ippon pak sekonda pa përfunduar koha e rregullt dhe tani kalon në 1/8 e finales.
Në mesin e 16 më të mirëve, Loriana Kuka, do të përballet me numrin 10 të botës, Yelyzaveta Lytvynenko, garuese nga Ukraina.