Lojtarët e Sllovenisë U21 kërkuan shkarkimin e tij, Kosova e mori Primoz Glihan për Kombëtaren A
Ishte muaji tetor i vitit 2020, kur lojtarët e Sllovenisë U21 kërcënuan se nuk do të luajnë për kombëtaren e tyre derisa në krye të tyre të jetë Primoz Gliha, me të cilin rast nisën një letër në drejtim të federatës me 13 arsye se pse ata do ta sabotonin kombëtaren sllovene, ndërsa tre vite më vonë Kombëtarja e Kosovës emëroi si trajner po të njëjtin emër.
Situata ishte tejet e ndjeshme te kombëtarja sllovene, pasi një vit më vonë ishin ata që do të organizonin Kampionatin Evropian për U21 dhe ishin lojtarët që nuk po pranonin të stërviteshin nga një trajner që sipas lojtarëve i ofendonte rëndë, pa asnjë provokim të mëparshëm të tyre.

Arsyet pse trajneri i Kombëtares U21 të Sllovenisë do të duhej të largohej, sipas futbollistëve:
-Ofendime personale nga trajneri ndaj lojtarëve pa asnjë provokim;
-Stërvitje pa ngrohje;
-Asnjë analizë e lojës së kundërshtarëve;
-Ai i ndaloi lojtarët të flinin ndërsa udhëtonin me autobus për në ndeshje;
-Ai nuk lejoi të festohen gola;
-Ai ishte larguar për një kohë të gjatë para ndeshjes kundër Italisë. Ai u shfaq pak para ngrohjes dhe e drejtoi atë ndeshje sikur të mos kishte ndodhur asgjë;
-Ai i urdhëroi lojtarët të luanin kundër hungarezëve, edhe pse nuk kishin ngrënë asgjë që nga mëngjesi;
-Ai ndaloi përdorimin e televizorit dhe telefonave dhe vendosi një "rreth shtetrrethimi" për përdorimin e çdo pajisjeje;
-Ai i ndaloi lojtarët të flinin me dyert e dhomave të mbyllura;
-Ai kishte një çelës universal për të gjitha dhomat, kështu që kur dyert ishin të mbyllura, ai mund të hynte dhe të kontrollonte lojtarët;
-Ai ndaloi lojërat me tavolinë dhe letra, përveç nëse lojtarët po luanin për para;
-Kur dy lojtarë dhe një anëtar i stafit të ekipit rezultuan pozitivë për koronavirus, ai u zemërua me anëtarin e stafit dhe e kritikoi atë, më pas vonoi njoftimin e ekipit sepse ishte i uritur dhe më vonë e njoftoi atë ndërsa u shërbente pije lojtarëve;
-Gjatë kampit të fundit stërvitor, lojtarët së bashku refuzuan t'i jepnin telefonat trajnerit. Në orën 23:15, Gliha hyri në dhomën e kapitenit Jan Mlakar dhe i tha atij dhe Jakob Novakut se po i dërgonte në shtëpi. Të nesërmen në orën 8:30 të mëngjesit, recepsionisti i hotelit dhe një anëtar i stafit konfirmuan se Mlakar ishte përpjekur gjithashtu të paguante faturën e tij të akomodimit.
Pas largimit të këtyre dy futbollistëve, lojtarët tjerë kërkuan rregulla të reja në kamp stërvitor, që ishin: përdorimi i telefonave, përdorimi i pajisjeve tjera elektronike, dhomat të mbylleshin natën dhe askush mos të hynte brenda derisa lojtarët po flinin.
Kërkesa këto të cilat nuk u përfillën nga Gliha dhe lojtarët nisën një letër te federata me 40 nënshkrime, ku fjala e fundit ishte që për sa kohë që trajner të jetë Primoz Gliha, lojtarët që kanë nënshkruar letrën nuk do të luajnë për ekipin slloven U21.
Duke marrë parasysh situatën e ndjeshme, pak muaj para fillimit të Kampionatit Evropian U21 që do të organizohej në Slloveni, federata mori vendimin për ta shkarkuar atë.
Por duket se Federata e Futbollit të Kosovës nuk ishte aspak e shqetësuar me këto ngjarje që rëndonin mbi Glihan, saqë fillimisht në vitin 2021 e emëruan si trajner kujdestar të ekipit kombëtar pas largimit të Bernard Challandes, por që qëndrimi i tij ishte afatshkurtër, pasi në krye erdhi me shumë bujë Alain Giresse.

Ky i fundit bëri një nisje të tmerrshme të kampanjës kualifikuese për EURO 2024 me Kosovën, gjë që i kushtoi me shkarkim muaj më parë, por FFK ishte sërish aty me një veprim skandaloz, duke emëruar sërish Primoz Glihan në krye të kombëtares, në ndeshje jetike për kualifikim.
Gliha nuk njihet për një karrierë të pasur as futbollistike, por as menaxheriale, teksa më shumë bujë në Slloveni ka bërë rasti në fjalë kur u kërkua shkarkimi i tij nga futbollistët.
