Lojërat Olimpike Paris 2024: Gara në Triatlon shtyhet për shkak të cilësisë së dobët të ujit në lumin Sena
Gara në gjininë mashkullore në Triatlon në kuadër të Lojërave Olimpike Paris 2024 është shtyrë, pasi testimet treguan për cilësi të dobët të ujit në lumin Sena, që nuk ka arritur akoma standardet e nevojshme.
Gara duhej të fillonte në orën 08:00 (me orën lokale) të martën dhe tani do të zhvillohet të mërkurën në orën 10:45 (me orën lokale), pas përfundimit të garës për gra.
Seancat stërvitore të notit u anuluan të dielën dhe të hënën për shkak të cilësisë së ujit, e cila u ndikua nga reshjet e mëdha të kohëve të fundit.
E premtja, 2 gushti mbetet një datë emergjente për të dyja garat, ndërsa organizatorët kanë thënë se ngjarja mund të kontestohet si një duatlon si mjeti i fundit.
"Testet e kryera sot në lumin Sena zbuluan se cilësia e ujit nuk ofron garanci të mjaftueshme për të lejuar mbajtjen e ngjarjes," tha World Triathlon.
“Pavarësisht përmirësimit të nivelit të cilësisë së ujit, leximet në disa pika të kursit të notit janë ende mbi kufijtë e pranueshëm”.
Alex Yee i Britanisë së Madhe është një nga favoritët për medaljen e artë në këtë disiplinë, ndërsa bashkëvendasja Beth Potter është kampionia në fuqi e botës për gra.
Testet po kryhen çdo ditë për cilësinë e ujit në lumin Sena, i cili gjithashtu do të presë stafetën e përzier të triatlonit më 5 gusht, maratonën olimpike të notit më 8 dhe 9 gusht dhe ngjarjen e para-triatlonit në Paralimpikë, e cila fillon më 28 gusht.
Organizatorët thanë se rreth 1.4 miliardë euro (1.2 miliardë £) ishin shpenzuar në një projekt rigjenerimi për ta bërë Senën të sigurt për të notuar pas një ndalimi 100-vjeçar.
Por deri në qershor të këtij viti niveli i E. coli ishte 10 herë më i lartë se niveli i pranueshëm i vendosur nga federatat sportive.
Kryebashkiaku i Parisit Anne Hidalgo së fundmi notoi në lumë për të nënvizuar përpjekjet e pastrimit që janë ndërmarrë dhe, në fillim të këtij muaji, testet treguan se lumi ishte mjaft i pastër për not.
Megjithatë, reshjet e dendura në Paris të premten dhe të shtunën kanë bërë që cilësia e ujit të ulet dhe në një takim të mbajtur në orën 03:30 me orën lokale, është marrë vendimi për shtyrjen e ngjarjes.
Për mëngjesin e së mërkurës parashikohen reshje shiu, pas temperaturave të nxehta të parashikuara deri në 35 gradë Celsius të martën.
“Në rastin e triatlonit, nxehtësia ka një efekt pozitiv, sepse rrezet e diellit dhe temperatura e rritur janë të dobishme në kuptimin që vret bakteret”, tha drejtori i operacioneve të Paris 2024, Lambis Konstantinidis për BBC Sport.
Organizatorët kanë plane të emergjencës ekstreme të nxehtësisë për çdo sport dhe disa sporte kanë një prag specifik të temperaturës ku loja nuk mund të vazhdojë nëse tejkalohet.