Llapi thotë se ndihet edhe më i motivuar për ndeshjen me Prishtinën, pas akuzave për kurdisje
Llapi ka thënë se ndihet edhe më i motivuar së më parë në prag të përballjes me Prishtinën në Superligë të dielën, në përpjekje për t’i shmangur akuzat për kurdisjen e ndeshjeve në futbollin kosovar.
Mediat franceze tronditën futbollin kosovar të enjten vonë kur raportuan se dy herë fituesi i Kupës së Kosovës dhe njëri prej klubeve kryesore në elitë, Llapi, dyshohet për kurdisjen e ndeshjeve, raporton Gazeta Nacionale.
Llapi dyshohet se i ka kurdisur katër ndeshje nga të cilat ka përfituar vetë dhe kanë përfituar edhe njerëz në Francë, për çfarë edhe u arrestuan nëntë persona këtë javë.
Ndeshja e parë e Llapit pas këtyre akuzave të rënda do të jetë pikërisht kundër rivalit të drejtpërdrejt për Evropë, Prishtinës, të dielën në Podujevë.
“Skuadra edhe më e motivuar për përballjen me Prishtinën”, shkroi Llapi në Facebook të premten.
Llapi është në vendin e katërt në Superligë me 29 pikë, tri pikë larg zonës së daljes në Evropë, ndërsa Prishtina është e pesta me 27 pikë.
Klubi nga Podujeva iu bëri thirrje tifozëve të vet të shkojnë në stadiumin Zahit Pajaziti për ta mbështetur skuadrën.
“Të dielën, të gjitha rrugët kanë vetëm një destinacion, stadiumin ’Zahir Pajaziti’, aty ku pritet të zhvillohet super derbi ndërmjet dy skuadrave pretendente për dalje në Evropë, Llapit dhe Prishtinës. Dita e diele është njëra nga ato ditë ku MBËSHTETJA ndaj klubit të zemrës është OBLIGATIVE”.
Llapi i ka mohuar akuzat për kurdisje.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se është duke u marrë me dyshimet për kurdisjen e ndeshjeve në futbollin kosovar, duke mos dhënë hollësi shtesë.
Me rishikimin e këtyre akuzave janë duke u marrë edhe Ministria e Sportit dhe Federata e Futbollit e Kosovës.
Le Parisien dhe Le Figaro raportuan dje se nëntë persona janë arrestuar, në mesin e tyre katër kosovarë, në Francë së fundmi, nën dyshimin për përfshirje në katër ndeshje të kurdisura në futbollin kosovar.
Sipas gazetës franceze, një grup prej 10 personash të moshës 22 deri 50 vjeçare janë të përfshirë në skandalin për ndeshje të ndrequra për skuadrën e Llapit nga Podujeva. Sipas tyre në këtë skandal të përfshirë janë anëtarët e stafit drejtues, teknik dhe disa lojtarë.
Ata, pjesëtarë të komunitetit kosovar me seli në Francë, më pas shfrytëzuan rastin për të vënë baste shuma të mëdha në faqen e Française des jeux. Shuma e fitimeve të realizuara në këtë mënyrë gjatë vitit 2022 do të arrinte në të paktën 360,000 euro.
