Llapi s’e liron Elvir Gashijanin, negociatat me Hajduk Splitin do të vazhdojnë në verë - NACIONALE

Llapi s’e liron Elvir Gashijanin, negociatat me Hajduk Splitin do të vazhdojnë në verë

2 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Llapi nuk do ta lirojë sulmuesin Elvir Gashijan këtë afat dimëror, kësisoj diskutimet me Hajduk Splitin do të vazhdojnë në verë, kështu deklaroi trajneri Tahir Batatina për Gazetën Nacionale.

Në mediat kroate po raportohet vazhdimisht se transferimi i Gashijanit te Hajduku dështoi shkaku që Llapi kërkoi 300 mijë euro plus 20 për qind të kartonit, me klubin kroat që refuzoi t’i plotësojë këto kërkesa.

“Index.hr” raportoi të enjten se Hajduk i kishte ofruar Llapit vetëm përqindje në karton, pasi nuk paguajnë për lojtarë të rinj.

Megjithatë, Batatina për Nacionalen deklaroi se transferimi i mundshëm ende s’ka dështuar, megjithatë negociatat vazhdojnë në verë pasi duan që Gashijan t’i ndihmojë klubit deri në fundin e sezonit.

“Jo, transferimi s’ka dështuar. Ne kemi vendosur të mos e lirojmë Elvirin deri në fundin e sezonit, sepse e shohim si pjesë të ekipit të parë. Pastaj, jemi marrë vesh që negociatat të vazhdojnë në verë”.

I pyetur nëse çmimi është pengu i këtij transferimi, Batatina konfirmoi se nuk lirojnë më lojtarë si agjent të lirë duke fituar vetëm përqindje.

“Nuk ka më ashtu, që Kosova të shihet si një ligë e dobët dhe t’i lirojmë lojtarët pa fituar para, vetëm me përqindje në karton. Jemi marrë vesh me klubet e tjera që nëse shesim lojtarë atëherë duam ndonjë vlerë të caktuar pasi futbolli në Kosovë është rritur dukshëm”.

“E sidomos kjo vlen për Elvirin që është një talent i jashtëzakonshëm, ka pak të tillë në Kosovë”, nënvizoi trajneri i Llapit.

Ndërkohë, Llapi këtë sezon e synon titullin kampion – ku momentalisht janë gjashtë pikë prapa liderit Ballkani.

Lajme të ngjashme