Llapi fiton në dramën e tetë golave ndaj Ballkanit, fitojnë Prishtina e Malisheva - NACIONALE

Llapi fiton në dramën e tetë golave ndaj Ballkanit, fitojnë Prishtina e Malisheva

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Janë zhvilluar tre ndeshjet e para të xhiros së 17-të Superligës së Kosovës, aty ku padyshim ndeshja më interesante ishte ajo mes kampionit në fuqi Ballkanit e vendit të dytë aktualisht Llapit, ku fitues dolën këta të fundit me rezultat 5:3. Në anën tjetër, Prishtina ka fituar 1:0 ndaj Fushë Kosovës, ndërsa edhe Malisheva fitoi me rezultat të njëjtë ndaj Lirisë.

Llapi e Ballkani janë dy skuadrat e para në renditje, dhe nuk kishte si të ishte ndryshe veçse një ndeshje e zjarrtë në Zahir Pajaziti në Podujevë.

Llapi - Ballkani

Në 45 minutat e para u shënuan pesë gola, dhe pati shumë episoda në kaq pak minuta.

Vetëm shtatë minuta i mjaftuan skuadrës së Tahir Batatinës që të shënonte për epërsinë e parë. Ishte Hamdi Namani që shënoi me kokë, pas një harkimi nga Valmir Veliu.

10 minuta më vonë në shprehje erdhi golashënuesi më i mirë i Superligës, Muhamet Hyseni, që gjeti rrjetën, për ta dyfishuar epërsinë e Llapit ndaj kampionit në fuqi.

Skuadra e Ilir Dajës arriti të kthehej në lojë. Ishte Nazmi Gripshi që në minutën e 25-të shënoi nga penalltia, për ta ngushtuar rezultatin në 2:1.

Pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë e takimit, sulmuesi Albin Berisha, shënoi për ta barazuar rezultatin në 2:2.

Por krejt në fund, në minutat shtesë, njëriu më në formë në këtë takim, Hamdi Namani, shënoi gol të bukur, për ta çuar Llapin në pushim me epërsi prej një goli, pra 3:2.

Në pjesën e dytë, skuadra e Batatinës ia shënoi edhe dy gola të tjerë skuadrës së Dajës.

Muahmet Hyseni shënoi golin e dytë personal në këtë takim në minutën e 73-të, për rezultatin 4:2, ndërsa për rezultatin 5:2 u kujdes Ahmed Januzi, kur shënoi dy minuta para fundit të takimit.

Krejt çfarë skuadra e Ballkanit arriti të bënte në pjesën e dytë ishte goli i tretë i shënuar në minutat shtesë nga Albin Berisha, për rezultatin përfundimtar 5:3.

Pavarësisht humbjes së thellë, Ballkani vazhdon të kryesojë në renditje me shtatë pikë më shumë se Llapi, madje ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Ndeshjet e tjera

Në dy përballjet tjera, Prishtina fitoi ndaj Fushë Kosovës me vetëm një gol të shënuar, ndërsa edhe Malisheva triumfoi me rezultat të njëjtë, me gol në çastet e fundit të takimit.

Mërgim Pefqeli ishte golashënuesi i vetëm për Prishtinën, kur e gjeti rrjetën në minutën e 32-të, me Fushë Kosovën që pati rast të artë në pjesën e dytë për të barazuar nga penalltia, por Urim Statovci goditi shtyllën.

Prishtina me fitore mbetet në vendin e pestë, tre pikë larg Dritës së vendit të tretë, ndërsa Fushë Kosova në vendin e parafundit me 10 pikë.

Në takimin mes Malishevës e Lirisë, Drilon Hazrollaj ishte vendimtar me golin e tij në çastet e fundit nga penalltia, duke ia dhuruar skuadrës vendase pikët shumë të vlefshme që e mbajnë skuadrën në vendin e katërt, e Lirinë në vendin e fundit.

Lajme të ngjashme