Llapi assesi të këndellet, mposhtet nga Prishtina në Fadil Vokrri
Ka përfunduar kryendeshja e javës së 13-të e Superligës së Kosovës, ku Prishtina me rezultat 2:0 ka arritur ta mposhtë Llapin e Tahir Batatinës, për t’ia shkaktuar humbjen e katërt në këtë sezon dhe për ta zhytur akoma më poshtë në tabelën e renditjes.
Kryeqytetasit erdhën në këtë ndeshje mjaft të motivuar pas një fitore në mesjavë në minutat e fundit ndaj liderit të tabelës, Dritës.

Skuadra e Ismet Munishit me këtë fitore ndaj Llapit e forcon vendin e tretë në tabelë, me tre pikë më shumë se Gjilani i vendit të katërt, por është prapa Ballkanit katër pikë, të cilët kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara dhe nëntë pikë më pak se Drita e vendit të parë.
Sa i përket ndeshjes, Prishtina ishte më kërkuese në ndeshje dhe fitoren e arriti me dy gola, një në secilën pjesë.
Ishte Leutrim Kryeziu që shënoi golin e vetëm për bardhekaltrit në minutën e 37-të të takimit për rezultatin 1:0
Ndërsa golin për 2:0 dhe rezultatin përfundimtar e realizoi, Endrit Krasniqi në minutën e 85-të të takimit.

Llapi për dallim nga Prishtina nuk është se po kalon edhe aq kohë të mira në këtë sezon, ku renditet e gjashta në tabelë me tri fitore, katër humbje e katër barazime dhe në pesë ndeshjet e fundit ka arritur vetëm një fitore, atë kundër Drenicës më 9 tetor.
Renditja momentale në Superligën e Kosovës

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot gjatë ditës, Drita arriti me shumë vështirësi të fitonte përballë Ferizajt, ku vetëm në minutat shtesë shënoi golin e fitores me anë të Besnik Krasniqit nga pika e penalltisë.
Nesër zhvillohen edhe tre takimet përmbyllëse të javës së 13-të, ku takohen: Drenica – Malisheva, Dukagjini – Ballkani, Trepça’89 – Gjilani.
