Drita fiton në frymën e fundit ndaj Ferizajt - NACIONALE

Drita fiton në frymën e fundit ndaj Ferizajt

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drita ka vuajtur shumë për të nxjerrë tre pikët e plota ndaj Ferizajt, por ia doli në çastet e fundit të ndeshjes. Gjilanasit shënuan një fitore pa shumë shkëlqim me rezultat 1:0.

Skuadra e Ardian Nuhiu u rikthye te fitorja kundër Ferizajt, ndonëse edhe një herë u evidentuan shumë probleme në lojë.

Ferizaj rezistoi mjaft mirë për 93 minuta lojë. Tek në fund mysafirët u dorëzuan, ose ndryshe thënë dy minuta para se të përfundonte loja.

Sidoqoftë, Drita ishte shumë e ngathtë gjatë ditës së sotme. Shumë pak goditje në kuadrat dhe raste të mira për shënim.

Nëse u referohemi këtyre të fundit mund të konstatohet se rastet e njëmendta për gol ishin të barabarta. Loja në krah në fazën e sulmit nuk funksionoi për të besuarit e trajnerit Nuhiu.

Raporti i detajuar i ndeshjes

Pjesa e parë nisi me një ritëm tepër të ngadalshëm, ku asnjëra skuadër nuk prodhonte një volum të lakmueshëm loje.

Tërë çfarë mbahet mend nga paraqitja e Dritës në 45 minutat e para ishte një goditje nga jashtë zona e rreptësisë nga ana e Muharrem Jasharit, e cila përfundoi mbi portë.

Në pjesën e dytë ishin disa zëvendësime që bënë të dy trajnerët, por pasqyra e lojës nuk ndryshoi. Drita u ankua te gjyqtarët për dy raste që pretendoi se mund t’iu akordoheshin si penallti, por VAR-i nuk ndërhyri për ta ndryshuar mendimin e gjyqtarit kryesor, i cili urdhëroi që loja të vazhdonte.

Ndërkohë, Ferizaj përmes dy ndërprerjeve prodhoi dy raste të volitshme shënimi. Një herë me Bardhin e pastaj edhe me sulmuesin Panadic. Në rastin e parë u nevojit një mrekulli e Malokut për ta shpëtuar portën që të mbetej e paprekur për gjilanasit.

Me hyrjen e Ardit Tahirit në fundit e takimit Drita u mundua që t’i intensifikonte sulmet e veta. Simonovski ka kohë që është duke kaluar një periudhë jo shumë të mirë sa i përket golave të shënuar. Hyrja në fushë e Arditit i dha gjallëri skuadrës në disa aksione, por pa arritur që të kulmojë me ndonjë gol të shënuar që do të mund t’i zhbllokonte shifrat e rezultatit.

Ferizaj njihet si skuadra me më së shumti gola të pësuar në kampionat. Ajo iu afrua tej mase një rezultati befasues në Gjilan, por në fund ishte Almir Kryeziu që nxori një penallti.

Zhvillohej minuta e 92-të kur Kryeziu u pengua në hyrje të 16-metërshit. Gjyqtari pa menduar gjatë dha penallti në favor të Dritës.

Nga pika e bardhë përgjegjësinë për ta ekzekutuar penalltinë e mori Besnik Krasniqi. Ai goditi saktë nga 11-metërshi, duke dërguar topin në anën e kundërt nga u gjuajt portieri, për të shënuar për 1:0.

Pas kësaj fitore Drita të paktën përkohësisht ruan primatin në tabelë me 30 pikë, ku ka një kapitel prej pesë pikëve në krahasim me Ballkanin. Mirëpo, therandasit kanë plot tre ndeshje për t’i rikuperuar dhe kështu mund ta shkrijnë shumë shpejt këtë distancë pikësh.

Ndërsa për Ferizajn kjo ishte humbje e tretë radhazi që prej që drejtimin e skuadrës e ka marrë trajneri kroat Andrej Panadic. Skuadra vijon të renditet në pozitën e fundit me 8 pikë.

Sa i përket Superligës së Kosovës, sfida e fundit që do të luhet për ditën e sotme është ajo mes Prishtinës dhe Llapit, që nis në ora 18:00 në “Fadil Vokrri”.

Lajme të ngjashme