Liverpool u rikthehet hapave falsë, mposhtet në udhëtim nga Nottingham Forest - NACIONALE

Liverpool u rikthehet hapave falsë, mposhtet në udhëtim nga Nottingham Forest

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nottingham Forest pas një serie të gjatë të ndeshjeve pa fitore, iu rikthye tre pikëve kundër Liverpoolit. Vendësit fituan me rezultat 1-0. Me këtë humbje Liverpool dëshmoi se nuk është as afër për ta rimarrë formën e dikurshme.

Besohej se do të ishin tre pikë të lehta për Liverpoolin sot, aq më shumë duke parë edhe krizën në të cilën po kalonte Nottinghami – por fusha dha një verdikt tjetër, atë meritorin, që nxori fitues Nottinghamin.

Liverpool u paraqit tejet dobët, me një ngurtësi të madhe dhe pa bërë aksione të shpejta, të cilat do të mund ta rrezikonin portën kundërshtare.

Kjo humbje ekipit të Jurgen Kloppit ia ndërlikon shumë vijimësinë në kampionat pas dy fitoreve rresht që paraprakisht i arriti ndaj Manchester Cityt dhe West Hamit.

Ndërkaq në rastin e Nottinghamit, fitorja e sotme ishte shpresë për një rikëndellje, pasi është në një pozitë të lakmueshme tabelore, respektivisht në atë të parafundit.

Raporti i ndeshjes Nottingham 1:0 Liverpool

Ndeshjen e nisën më mirë mysafirët. Në minutën e 9-të me Carvalhon patën një mundësi të mirë shënimi, por që nuk ia doli të konkretizohej.

Sidoqoftë, në kundërsulme Nottingham u shfaq sporadikisht ekip i rrezikshëm edhe gjatë pjesës së parë. Liverpool mbante qarkullimin e topit, ndërsa aksionet më të mira ishin në anën e ekipit nikoqir.

Pjesa e parë mbaroi me portat e paprekura.

Në pjesën e dytë vazhdoi e njëjta pasqyrë e ndeshjes, me Liverpool që vazhdonte të mbizotëronte në lojë për nga posedimi i topit, i cili në shumë faza të lojës ishte steril.

Kështu, në minutën e 55-të erdhi dushi i ftohtë i merituar për Liverpoolin. Alisson priti fillimisht një top që i erdhi atij në drejtim të portës, por më pastaj aty afër u gjend Awoniyi, duke shtyrë topin në rrjetë për 1:0.

Nga këtu deri në fund të ndeshjes Liverpool u vërsul me të gjitha forcat në gjysmëfushën kundërshtare në përpjekje që t’i rikthente shpresat për të marrë pikë në “City Ground”.

Edhe pse rastet në fraksionin e fundit të ndeshjes nuk munguan, ato nuk mjaftuan që të realizohej goli i barazimit.

Kësisoj, krejt në fund, për kënaqësinë e publikut të tij Nottingham korri një fitore të merituar, marrë parasysh angazhimin e madh që tregoi në fushë dhe dëshirën e pakompromis për të dalë me pikët e plota.

Pas kësaj ndeshje Liverpool mbetet në pozitën e 7-të me 16 pikë të grumbulluara, ndërsa Nottingham zë pozitën e 19-të me 9 pikë.

Lajme të ngjashme