Klopp: E kam telefonuar Gerrardin sot, do të di të ringritet sërish - NACIONALE

Klopp: E kam telefonuar Gerrardin sot, do të di të ringritet sërish

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Aston Villës iu sos durimi me Steven Gerrardin dhe mbrëmë, menjëherë pas humbjes 3:0 ndaj Fulhamit në Londër, vendosi ta shkarkojë. Jurgen Klopp ka komentuar këtë zhvillim.

Lidhja mes Liverpoolit dhe Steven Gerrardit është gjë e ditur. E pashmangshme ishte për Jurgen Kloppin sot, që në kuadër të konferencës së zakonshme për shtyp para ndeshjeve kampionale, të pyetej në lidhje me vendimin e klubit nga Birmingham për ta pushuar nga pozita e trajnerit ish-kapitenin e Liverpoolit, Steven Gerrard.

Trajneri gjerman ka treguar se ka telefonuar Gerrardin gjatë mëngjesit të sotëm. Ai tha se është besimplotë që 42-vjeçari do t’ia dalë sërish të këndellet.

“Jam i sigurt që do të di se si të këndellët dhe do të rikthehet sërish. E kam njohur gjatë këtyre shtatë viteve sa jam pjesë e Liverpoolit, anipse nuk e kam takuar aq shpesh për shkak të arsyeve të ndryshme. Sot, në mëngjes, kemi pasur një bisedë të shkurtër, por jo diçka të detajuar siç di të jetë një bisedë e gjatë”
, u shpreh fillimisht ai.

Klopp është i vetëdijshëm se gjendja emotive e Gerrardit pas vendimit të djeshëm për t’iu shkëputur kontrata me Aston Villën.

“Mund ta paramendoj që është i zhgënjyer duke ditur ambiciet që ka. Natyrisht se nuk është gjë e bukur (shkarkimi), por mendoj se nuk ka vend për t’u brengosur për Stevien. Siç ka thënë ai vetë është pjesë e kësaj loje qe një kohë të gjatë për të kuptuar se disa gjëra ndodhin”, shtoi ai.

Trajneri i Liverpoolit inkurajoi ish-mesfushorin e ekipit nga Merseyside që të ringrihet, për të treguar kështu aftësinë që të kundërpërgjigjet në momentet e vështira.

“Si çdo gjë në jetë, merr goditje nga të gjitha anët dhe duhet të dish si të përgjigjesh. E njihni (Gerrardin) më mirë sesa unë. Ai gjithmonë është ringritur dhe do ta bëjë edhe kësaj radhe. Shumë trajnerë të mëdhenj është dashur në të shkuarën të largohen nga puna në klube të ndryshme, për arsye të caktuara – por kanë ditur të marrin mësim, të gjejnë një rehati tjetër, për ta dhënë më të mirë pastaj”, potencoi Klopp.

Klopp uron që ai tani do të marrë pak kohë për veten e tij, pasi e sheh të nevojshme për të.

“Tani shpresoj që të marrë pak kohë për veten. Prej që është pensionuar nga futbolli, asnjëherë nuk ka rreshtur së punuari”, përfundoi Jurgen Klopp.

Aston Villa e pa të nevojshme që ta shkarkojë 42-vjeçarin anglez nga pozita e trajnerit, pasi skuadra kishte hyrë në një seri negative rezultatesh, me dy humbje dhe dy barazime në katër ndeshjet e fundit.

Të renditur në pozitën e 17-të me 9 pikë, me vetëm një pikë larg zonës së mbijetesës, klubi nga Birmingham është krejtësisht larg objektivave sezonale të veta.

Lajme të ngjashme