'Rrëshqet' sërish Gerrard: Shkarkohet vetëm pas 11 muajve në krye të Villas
Steven Gerrard është shkarkuar nga posti i trajnerit të Aston Villës pas humbjes 3-0 ndaj Fulhamit të enjten mbrëma. Kështu ai nuk arriti që të qëndronte as për një vit të plotë si trajner në Premierligë.
Ish-mesfushori i Liverpoolit mori drejtimin në Villa Park nëntorin e vitit të kaluar dhe siguroi vendin e 14-të në sezonin 2021/22. Villa ka fituar dy nga 11 ndeshjet e Premierligë këtë sezon dhe gjendet në pozitën e 17-të në tabelë me vetëm nëntë pikë të grumbulluara.

Legjenda e futbollit anglez zëvendësoi Dean Smith në Villa Park më 11 nëntor 2021 dhe prezenca e tij në bankinë zgjati më pak se një vit para se të bëhej trajneri i katërt i ligës më të madhe në botë që humbi punën deri më tani këtë sezon, pas Scott Parker, Thomas Tuchel dhe Bruno Lage.
Njoftimin për largimin e Gerrard e ka bërë vet skuadra angleze.
Klubi i futbollit Aston Villa mund të konfirmojë se trajneri Steven Gerrard është larguar nga klubi me efekt të menjëhershëm.
Një zëdhënës i klubit tha: “Dëshirojmë të falënderojmë Steven për punën dhe angazhimin e tij të palodhur dhe t'i urojmë atij mirë në të ardhmen”.
Ish-mesfushori i Anglisë dhe Liverpoolit, 42 vjeç, e udhëhoqi Villan në vetëm 13 fitore nga 40 ndeshje gjatë 11 muajve të tij në krye.
Në kohën e tij në Villa ai nënshkroi disa lojtarë të profilit të lartë, duke përfshirë sulmuesin e Barcelonës, Phillipe Coutinho, mbrojtësin e Sevillas, Diego Carlos dhe mesfushorin francez Boubacar Kamara, të cilët ishin lidhur me disa nga skuadrat kryesore të Evropës.

Megjithatë Carlos pësoi një dëmtim të rëndë në kyçin e këmbës në debutimin e tij në shtëpi dhe Kamara pritet të jetë jashtë deri në vitin e ri me një dëmtim të ligamentit të gjurit të pësuar kundër Southampton muajin e kaluar.
Në verë, Gerrard hoqi si kapiten mbrojtësin e Anglisë, Tyrone Mings dhe e zëvendësoi atë me John McGinn të Skocisë, i cili ka bërë një fillim të dobët të sezonit.
Ndihmësi i Gerrard, Michael Beale, i cili kishte qenë me të që nga Rangers, u largua nga Villa në verë për t'u bërë trajner i QPR-së.
Gerrard hodhi hapat e tij të parë në menaxhimin e lartë me Rangers në 2018 dhe e udhëhoqi klubin drejt titullit të parë të Premierligës Skoceze në 10 vjet.

Para kësaj, ai ishte trajner në akademinë e Liverpoolit përpara se të drejtonte ekipin U-18 gjatë sezonit 2017-18.
Gerrard luajti 710 herë për Liverpoolin, duke fituar nëntë trofe dhe kaloi një sezon në skuadrën e MLS-së, LA Galaxy në vitin 2015 përpara se të tërhiqej si lojtar vitin e ardhshëm.

Ai është lojtari i katërt i Anglisë me më shumë paraqitje me 114 paraqitje ndërkombëtare, në të cilat shënoi 21 gola.