Liverpool triumfon ndaj Aston Villas, i afrohet top katërshes
Liverpool ka shënuar fitore komode në udhëtim te Aston Villa, në kuadër të ndeshjes së parë pas pushimit të Kupës së Botës, ose xhiros së 17-të në Premierligë.
"Reds" triumfuan me rezultat 1:3, sfidë që ishte tejet interesante qysh nga minuta e parë.
Liverpool e nisi për mrekulli duke shënuar pas një aksioni fantastik, ku Alexander-Arnold me një pasim të jashtëzakonshëm gjeti Andrew Robertson, i cili asistoi për Mohamed Salah, me egjiptianin që nuk gaboi nga afërsia (5').
Dominimi i Liverpoolit vazhdoi me Joel Matip që shënoi pas një harkimi tjetër të Robertson, por pastaj goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Darwin Nunez kishte rastin e artë të dyfishonte epërsinë, por nuk ia doli nga afërsia ta mposht portierin Robin Olsen.
Ishte qendërmbrojtësi Virgil van Dijk që me një goditje të bukur dyfishoi rezultatin pas një asistimi të Salah (37').
Aston Villa pastaj hyri me tjetër "fytyrë" në pjesën e dytë duke shënuar menjëherë me anë të Ollie Watkins, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Kurse, ishte Douglas Luiz që asistoi për Watkins me këtë të fundit që ngushtoi epërsinë (59').
Nunez sërish kishte një rast të artë, mirëpo prapëseprapë dështoi në përballjen një kundër një.
Fitoren e Liverpoolit e vulosi talenti i ri Stefan Bajcetic, që u gjend në vendin e duhur dhe shënoi nga afërsia (81').
Me këtë fitore, Liverpool ngritët në pozitën e gjashtë me 25 pikë, derisa Aston Villa vazhdon të renditët në pozitën e 12-të me 18 sosh.
Në xhiron e radhës, skuadra e Klopp do të përballet me Leicester Cityn, derisa Aston Villa do ta pres Tottenhamin.