Liverpool përgatitet për largimin e Hendersonit, nis bisedimet me talentin e Southamptonit - NACIONALE

Liverpool përgatitet për largimin e Hendersonit, nis bisedimet me talentin e Southamptonit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Liverpool do të bëjë një ofertë zyrtare për të nënshkruar me mesfushorin e Southamptonit, Romeo Lavia nëse Jordan Henderson largohet nga klubi.

Anglezi thuhet se ka pranuar t’i bashkohet skuadrës arabe Al-Ettifaq, që drejtohet nga Steven Gerrard dhe tani ka mbetur vetëm që dy klubet të gjejnë “gjuhën e përbashkët”.

Henderson aty do të fitojë plot 750 mijë funte për javë, që është rreth katër herë më shumë se ajo që fiton momentalisht te Liverpooli.

Sipas gazetarit belg Sacha Tavolieri, Liverpool ka nisur përgatitjet për largimin e Hendersonit dhe do të bëjnë një ofertë për Lavian nëse e humbasin kapitenin.

Trajneri Jurgen Klopp tashmë ka zhvilluar disa bisedime me Lavian për kalimin në “Anfield” dhe mesfushori i Southamptonit ka shprehur dëshirë për t’iu bashkuar gjigantit anglez.

Problemi kryesor është kartoni pasi Southampton e vlerëson rreth 50 milionë funte, që konsiderohet tejet e lartë nga Liverpooli dhe Arsenali, ky i fundit gjithashtu është i interesuar për lojtarin.

Lavia kaloi te Southampton verën e kaluar nga Man City për 14 milionë funte dhe impresionoi në Premierligë, pavarësisht që klubi ra në Championship.

City vendosi një klauzolë riblerje në marrëveshjen me Southamptonin, por që nuk mund të aktivizohet deri verën tjetër.

Ndërkohë, Liverpool ka qenë mjaftë aktive pasi ka kompletuar dy prurje, Mac Allister nga Brighton dhe Dominik Szoboszlai nga RB Leipzig.

Lajme të ngjashme