Liverpool nuk arrin më shumë se një barazim në udhëtim te Evertoni - NACIONALE

Liverpool nuk arrin më shumë se një barazim në udhëtim te Evertoni

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Liverpooli nuk arriti më shumë se një barazim në derbin e qytetit ndaj Evertonit në Goodison Park, me rezultat 0:0, kështu duke vazhduar një formë jo të mirë në këtë fillim kampionat, ndërsa Evertoni vazhdon të mos fitojë asnjë ndeshje duke barazuar në katër e humbur në dy ndeshje.

Të kuqtë hyn në këtë takim me tetë pikë të grumbulluara në pesë ndeshje, me dy fitore dhe dy barazime kurse kishin edhe një humbje në derbin kundër Manchester United. Në anën tjetër Evertoni me këtë ndeshje tani ka katër pikë, me katër barazime.

Pjesa e parë

Pjesa e parë në përgjithësi i takoi Liverpoolit, që me disa raste të mira rrezikoi portën e Jordan Pickford disa herë, madje duke goditur shtyllën në dy raste, por rezultati pas 45 minutave të para ishte 0:0.

Edhe pse Liverpooli ishte ajo që mund ta vendoste ndeshjen, Evertoni kishte rastin parë për të shënuar, por goditja e Maupay në minutën e tetë shkoi jashtë portës.

Pas këtij rasti, të kuqtë filluan të marrin frerët në dorë. Ishte një harkim i Alexander Arnold nga një pozitë e vështirë që gjeti kokën e sulmuesit Darwin Nunez, por ky i fundit nuk ishte i saktë nga afërsia.

Everton rrezikoi sërish me një gjysmë rast në minutën e 23-të të takimit, me anë të Gordonit që gjuajti, por ishte pritje e lehtë për Alisson.

Darwin sërish rrezikoi me një gjuajtje me kokë dhe sërish goditja e tij ishte jashtë porte.

Image

Liverpoolit i takuan edhe dy rastet tjera në vazhdim e që ishin të fundit të kësaj pjese por mjaftë të rrezikshme.

Po zhvillohej minuta e 43-të e takimit kur Darwin pranoi një top me gjoks dhe goditi fort, por topi u devijua mrekullisht nga Pickford për të përfunduar në transversale, e ku topi u kthye te Luis Diaz që bëri veprim të mirë me topin dhe goditi mirë në krahun e djathtë të portës, duke goditur shtyllën pingule.

Pra ishte shtylla ajo që ia mohoi në dy rastet golin Liverpoolit, ndonëse në rastin e parë reagoi mirë Pickford.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, por me një nuancë ndeshje më të mirë nga Liverpool.

Pjesa e dytë

Liverpooli i Kloppit nuk kishte se çfarë të humbte në pjesën e dytë, andaj trajneri gjerman bëri tre zëvendësime për 15 minutat e parë të intervalit të dytë kohor.

Kur ishte vetëm minuta e tretë e pjesës së dytë, Nunez arriti të rrezikoi sërish me një goditje, por Pickford sërish ia mohoi golin duke devijuar topin jashtë.

Se portieri vendas ishte lojtari më i mirë te skuadra vendase e tregoi sërish në minutën e 54-të me një pritje mjaftë të bukur, duke ia mohuar sërish golin sulmuesit uruguaian.

Image

Minuta e 63-të ishte kur Everton arriti të krijojë një rast të rrallë të rrezikshëm në këtë pjesë të dytë. Ishte Nathan Patterson ai që goditi, por Van Dijk e bllokoi mirë për të çuar topin në rivënie këndore.

Menjëherë pas këtij rasti, ishte sërish radha e shpëtimtarit të Evertonit, kësaj radhe ai ia mohoi golin Firminos me një tjetër pritje të mirë.

Sulmuesit brazilian sërish ia mohoi golin portieri anglez në formë, por kësaj radhe në minutën e 65-të ishte më e lehtë për të.

Rastin më të mirë në ndeshje për Evertonin deri në minutën e 66-të e kishte Maupay, i cili nga afërsia goditi por portieri Alisson bëri një intervenim fantastik për ta shpëtuar skuadrën e tij.

Skuadra vendase arriti të shënojë një herë në këtë takim, në minutën e 69-të nëpërmjet Maupayt, por goli u anulua pas një konsultimi me sistemin VAR për pozitë jashtë loje.

Këto minutat e fundit të takimit, diçka më shumë nga ndeshja po jepte Evertoni. Ata arritën sërish të rrezikonin portën me anë të një goditje nga një distancë e largët nga Dwight McNeil, por me majën e gishtërinjve topi u devijua në rivënie këndore nga portieri Alisson.

Image

Në minutën e 87-të të takimit sërish doli në skenë heroi i Evertonit, Pickford. Ai priti një gjuajtje të ulët nga Bobby Firmino, kështu për të shpëtuar sërish skuadrën e tij, pa pësuar gol.

Rasti i fundit i takimit i takoi Liverpoolit, që me anë të Salah goditi shtyllën në minutat shtesë, por asgjë më shumë, kështu duke ardhur në fundin e takimit me rezultat 0:0.

Padyshim heronjtë e këtij takimi ishin të dy portierët.

Lajme të ngjashme