Liverpool merr “goditjen e radhës”, Thiago për gjashtë javë jashtë fushës - NACIONALE

Liverpool merr “goditjen e radhës”, Thiago për gjashtë javë jashtë fushës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori i Liverpool, Thiago do të mungojë deri në gjashtë javë për shkak të dëmtimit të fundit që pësoi në barazimin 2-2 të së shtunës kundër Fulham, raporton mediumi më i besueshëm anglez “The Athletic”.

Reprezentuesi spanjoll çaloi në fillim të pjesës së dytë në “Craven Cottage” dhe një skanim ka konfirmuar që ka pësuar ‘frikën e tij më të keqe’.

Thiago pritet të mungojë deri në mes të shtatorit që do të thotë se ai do të mungojë në ndeshjet e ardhshme të Premierligës kundër Crystal Palace, Manchester United, Bournemouth, Newcastle, Everton dhe Wolves.

Lajmi është një goditje e madhe për Jurgen Klopp, i cili tashmë ka një mesfushë të reduktuara nga lëndimet e futbollistëve të tjerë si Alex Oxlade-Chamberlain dhe Curtis Jones.

Naby Keita gjithashtu humbi udhëtimin në Fulham, por ai do të kthehet në garë për ndeshjen e së hënës së ardhshme në shtëpi me Palace pas rikuperimit.

I pyetur pas barazimit 2-2 me Fulhamin nëse situata e dëmtimit do ta detyronte Liverpoolin të blinte një tjetër mesfushor, Klopp tha:

"Një transferim duhet të ketë kuptim tani dhe në planin afatgjatë. Kemi tetë mesfushorë. Kemi ende mjaft mesfushorë. Nuk është se na mungojnë mesfushorët, vetëm disa prej tyre janë të lënduar”.

“Kjo nuk është një situatë e mirë, nuk më pëlqen fare. Ne duhet të shohim se si do të reagojmë për këtë, por me siguri jo panik.”

Thiago ka duruar një sërë pengesash që kur mbërriti në “Anfield” nga Bayern Munich për 25 milionë funte dy vjet më parë.

Dëmtimi dhe lëndimet e shpeshta e kufizuan atë në vetëm 24 paraqitje në ligë në sezonin 2020/21 dhe ai u paraqit në vetëm 25 nga 38 sezonin e kaluar.

Liverpooli në xhiron e radhës do të përballet me Crystal Palace.

Lajme të ngjashme