Liverpool kualifikohet tutje me fitore bindëse në Amsterdam, Tottenham zhgënjen sërish në Evropë
Dy skuadra angleze u paraqitën në mbrëmjen e sotme në Ligën e Kampionëve. Liverpool në udhëtim mposhti Ajaxin me rezultat 0:3 dhe u kualifikue tutje, kurse Tottenham ia ndërlikoi punët vetes duke barazuar 1:1 ndaj Sporting Lisbonës.
Liverpool kreu detyrën sot në Amsterdam, duke fituar një ndeshje që ishte me dy fytyra, pasi në 40 minutat e para dukej se Ajaxi po i afrohej më shumë golit. Skuadra holandeze nuk ia doli t’i konkretizojë rastet për shënim. Më vonë pasoi ndëshkimi, me një seri golash të shpejtë të shënuar nga ekipi i Jurgen Klopp.
Në ndeshjen tjetër që zhvilloi skuadra angleze, respektivisht Tottenhami, sërish zhgënjeu të pranishmit, më konkretisht tifozët e vet. Kjo pasi nuk arriti më shumë sesa një barazim ndaj rivalit direkt, Sporting Lisbonës.
Sado që me këtë rezultat ruan primatin në grup edhe në këtë xhiro, tani ekipi i Antonio Contes ia ndërlikon vetes tej mase punët, duke lënë që gjithçka të përcaktohet në Marseille, në javën e fundit.
Raporti i ndeshjes Ajax 0:3 Liverpool
Një varg rastesh ishin në të mirë të Ajaxit në fillim të ndeshjes. Tadic dhe të tjerët nuk arritën që t’ia jepnin epërsinë skuadrës.
Liverpool ishte shtypur në gjysmëfushën e vet, duke pranuar një orvatje të pandalshme me sulme nga skuadra holandeze.
Gjithsesi, pasi nuk i konkretizoi plot katër raste Ajaxi, u dënua me golin e epërsisë nga Liverpool. Ai erdhi në minutën e 42-të me anë të Mo Salah, i cili paraboloi portën për 0:1.
Në pjesën e dytë Liverpool shënoi dy gola vërtet të shpejtë. Së pari ishte Darwin Nunez ai i cili në minutën e 49-të shënoi për 0:2, falë një goditje mjaft të bukur me kokë, pasi shërbye nga këndorja e ekzekutuar nga Robertson.
Goli i tretë në ndeshje nuk vonoi më shumë se tre minuta. Ai erdhi në minutën e 52-të. Salah gjeti të lirë në zonë të rreptësisë Elliottin, i cili nga afërsia shënoi bukur për 0:3, edhe pse ishte në një pozitë të disfavorshme.
Deri në fund të ndeshjes Liverpool ruajti këtë epërsi, edhe pse pati mundësi të tjera shënimi, pasi Ajaxi filloi të linte hapësira të mëdha.
Me këtë fitore Liverpooli vulosi çështjen e kualifikimit, duke iu bashkangjitur Napolit si ekip i dytë që kalon në 1/8 e finales. Napoli edhe sot fitoi, duke mposhtur 3:0 Rangersin.
Pas kësaj fitore, gjendja e grupit është si vijon, me Napolin në vendin e parë me 15 pikë, Liverpool në vendin e dytë me 12 pikë, Ajax në vendin e tretë me 3 pikë dhe Rangers akoma pa pikë në vendin e fundit.

Për Ajaxin shpresa e vetme është që të kualifikohet në Ligën e Evropës.
Raporti i ndeshjes Tottenham 1:1 Sporting Lisbona
Një ndeshje mjaft e gjallë dhe me shumë ritëm u shoqërua në Londër, ku Tottenham dhe Sporting Lisbona u ndeshën sërish ndaj njëra-tjetrës.
Ishin portugezët ata që të parët gjetën golin e epërsisë. Në minutën e 22-të mesfushori anglez Edwards shënoi nga një distancë relativisht e largët, duke lënë të shtangur portierin kundërshtar.
Tottenham nuk ia dilte që t’i gjente hapësirat që i nevojiteshin. Goli i barazimit për skuadrën e Antonio Conte u vonua deri në minutën e 81-të. Bentacour, ish-mesfushori i Juventusit, ishte ai që riktheu shifrat në baraspeshë.
Ankthi në stadium zgjati deri në sekondat e fundit të ndeshjes. Harry Kane shënoi në minutën e 96-të. Dukej si goditja përfundimtare për Sporting Lisbonën dhe si gol dhuratë që mundësonte kalimin tutje për Tottenhamin.
Mirëpo, një rishikim i aksionit nga VAR-i bëri që të anulohej i njëjti. Fytyrat e ngrisura ishin ato të lojtarëve dhe trajnerit të Tottenhamit, ndërsa kampi tjetër, respektivisht Sporting Lisbona, kaloi në dëlir.
Gjendja në Grupin D tregon se gjithçka është e hapur për të gjitha skuadrat deri në javën e fundit. Për momentin Tottenham kryeson me 8 pikë. Pason menjëherë me 7 pikë Sporting Lisbona në vendin e dytë, kurse vendin e tretë me po të njëjtat pikë e ndanë Eintracht Frankfurti. Marseille është skuadra që renditet në pozitën e fundit me 6 pikë.

Ndeshjet e ardhshme do të zhvillohen më 1 nëntor. Tottenham luan në udhëtim në stadiumin e nxehtë të Marseillet, kurse Sporting Lisbona pret në terrenin e vet Eintracht Frankfurtin.
