Liverpool fiton me rikthim dhe merr përkohësisht kreun e Premierligës
Liverpool ka fituar me përmbysje në shtëpi ndaj Brightonit, në kuadër të xhiros së 30-të në Premierligë.
Edhe pse ishin në disavantazh, “Reds” arritën këndelljen nga 0:1 në 2:1 për t’i arkëtuar pikët e plota.
Pas vetëm dy minutave lojë, Brighton zhvilloi një aksion fantastik me Danny Wellbek që shënoi me një goditje precize jashtë zonës së 16-metërshit (2’).
Liverpool menjëherë kishte rastin për ta barazuar rezultatin, por njëjtë si Darwin Nunez ashtu edhe Mo Salah dështuan përballë portierit mysafir.
Ishte Luis Diaz që barazoi rezultatin, duke u gjendur në vendin e duhur pas një topi të kthyer për ta dërguar në rrjetë (27’).
Liverpool ishte skuadër shumë më kërkuese gjatë tërë kohës duke ndërtuar aksione të njëpasnjëshme që iu mungonte finalizimi.
Mirëpo, për ta përmbysur rezultatin u përkujdes ylli i skuadrës Mo Salah që realizoi një gol të bukur pas asistimit të Alexis MacAllister (65’).
Liverpool realizoi edhe një herë përmes Diaz, por që u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Tani, Liverpool bëhet lider në Premierligë me 67 pikë derisa Brighton zë pozitën e nëntë me 42 sosh.