Lionel Messi thotë se mezi pret të debutojë për Inter Miamin
Lionel Messi ka thënë se ndihet shumë i ngazëllyer që do të luajë për Inter Miamin, por fillimisht do të pushojë disa ditë me familje para se t’i bashkohet klubit të ri në Amerikë.
Messi, 36 vjeç, nënshkroi marrëveshje dyvjeçare e gjysmë me Miamin javë më parë, pasi u largua nga Paris Saint-Germaini si lojtar i lirë këtë muaj.
Argjentinasi u rikthye në klubin e vendlindjen Newell’s Old Boys javën e kaluar, në ditëlindjen e 36-të, për të marrë pjesë në një ndeshje të lamtumirës të ish-bashkëlojtarit të vet në kombëtare Maxi Rodriguez.
Messi mahniti edhe në atë ndeshje si gjithmonë, duke shënuar het-trik fantastik për Argjentinën kundër ish-klubit të fëmijërisë, i cili përfshiu një gol nga gjuajtja e lirë në stilin e tij.
Messi mori pjesë edhe në një ndeshje lamtumirës të Juan Roman Riquelme në stadiumin La Bombonera dhe pas saj konfirmoi se po planifikon t’i marrë disa ditë pushim para se të niset drejt Miamit për rrugëtimin e ri.
“Është ndjesi shumë e mirë të jesh në gjendje të luash në ndeshjen e lamtumirës së Riquelmes, duke ditur sa shumë ka rëndësi ai për futbollin në Argjentinë, për Bocan, te jem sërish në La Bombonera”, tha Messi.
Ai shtoi: “Tani do t’i kem disa ditë pushim dhe pastaj do ta filloj jetën në qytetin tim të ri, në klubin e ri (Inter Miami), jam shumë i ngazëllyer”.
Messi do të prezantohet si lojtar i Inter Miamit sapo marrëveshja e tij me PSG-në të mbarojë në fund të këtij muaji.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë pritet të debutojë për Miamin kundër Cruz Azul më 21 korrik në një ndeshje lige.
