Lionel Messi: Me Mbappen flasim për finalen e Botërorit
Lionel Messi ka këmbëngulur se ka marrëdhënie shumë të mira me bashkëlojtarin e vet në Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, dhe zbuloi se me të ka biseduar për finalen e Kupës së Botës.
Argjentina e Messit e mposhti Francën e Mbappes me penallti në njërën prej finaleve më drithëruese në historinë e Kupës së Botës muajin e kaluar në Katar.
Mbappe shënoi het-trik ndërsa Messi i shënoi dy gola gjatë kohës së rregullt dhe vazhdimeve, parasë ky i fundit të triumfonte në penallti për ta fituar Botërorin e parë në karrierë.
Messi u pyet sërish për marrëdhëniet me Mbappen gjatë një interviste të enjten. Messi këmbënguli se kurrë nuk ka pasur problem me Mbappen dhe se finalja nuk ka ndikuar aspak në marrëdhëniet e tyre.
“Po, ne biseduam për lojën, për mënyrën se si njerëzit në Argjentinë festuan dhe e përjetuan triumfin ato ditë. Dhe asgjë, asgjë më shumë, por (kemi marrëdhënie) të mirë, shumë të mira”, tha Messi.
Ai shtoi: “Edhe unë kam qenë në këtë situatë. E pata humbur një finale edhe unë dhe nuk doja të flisja për të, për atë që ndodhi. Për asgjë që kishte të bënte me Kupën e Botës atë kohë. Por e vërteta është se me Mbappen nuk ka asnjë telash, bile e kundërta është”.

Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt fitimit të Kupës së Botës për herë të tretë në historinë e vet, duke i shënuar dy gola në finale të cilën argjentinasit e fituan me penallti dramatike kundër Francës më 18 dhjetor.
Ai u shpall lojtari më i mirë i turneut, ndërsa u mposht për një gol nga Kylian Mbappe për çmimin golashënuesi më i mirë i turneut.
Messi i shënoi shtatë gola në shtatë ndeshje, duke u bërë lojtari i parë që shënon gol në secilin rreth të Kupës së Botës qëkur këtij turneu iu shtua edhe rrethi i 16 më të mirëve në vitin 1986.
Ai po ashtu u bë lojtari i parë që e fiton Topin e Artë dy herë, të cilin e kishte fituar edhe në finalen e humbur kundër Gjermanisë më 2014.
Tani 35-vjeçari është në kërkim të trofeut të parë në Ligën e Kampionëve me PSG-në, i cili do të ishte i pari për të jashtë Barcelonës.
