Ligue 1 i reagon La Ligës për Mbappen: Dy prej lojtarëve më të paguar në botë janë rezervistë në Real Madrid
Presidenti i Ligue 1, Vincent Labrune, thotë se sulmet e La Ligës për marrëveshjen e re të Kylian Mbappes me Paris Saint-Germainin janë të papranueshme.
Sulmuesi francez Mbappe nënshkroi marrëveshje tejet fitimprurëse me kohëzgjatje trivjeçare me PSG-në të shtunën, duke e hedhur poshtë ofertën e Real Madridit në çastet e fundit.
La Liga e quajti skandaloze ofertën e PSG-së për Mbappen, por Labrune i është përgjigjur ashpër ligës spanjolle, duke ia kujtuar se La Liga ka shpenzuar 32% apo më shumë se Ligue 1 për blerjen e lojtarëve.
PSG-ja është në pronësi të grupit të Katarit për investime sportive, një fond i pasurisë sovrane i udhëhequr nga shteti i Katarit.
La Liga njoftoi se do të ankohej në UEFA si dhe te autoritetet franceze dhe evropiane pasi Mbappe nënshkroi me PSG-në.
Javier Tebas, presidenti i La Ligës në Spanjë, e përshkroi ofertën e PSG-së për Mbappen si një fyerje ndaj futbollit dhe bëri me gisht drejt humbjeve financiare të klubit francez.
Në një letër drejtuar Tebas, Labrune shkroi: “Sulmet tuaja ndaj Ligue 1 dhe ndaj njërit prej klubeve tona, Paris Saint-Germain, dhe ndaj njërit prej lojtarëve tanë Kylian Mbappe, bazohet vetëm në interpretimet tuaja për mungesën e stabilitetit financiar dhe mosbaraspeshën garuese, të cilat t’i vazhdimisht ua atribuon Ligue 1 dhe njërit prej klubeve tona”.
“Fakti se ju publikisht dhe vazhdimisht mbani qëndrim të tillë ndaj Ligue 1 për këtë çështje dhe e denigroni ligën dhe klubet tona është edhe e papranueshme edhe e pavërtetë”.
Ai shtoi: “Dy prej klubeve tuaja, Real Madridi dhe Barcelona, i kanë thyer rekorde të shumta në dekadën e fundit. Sa i përket transferimit të lojtarëve, këtu dy klube e kanë thyer rekordin botëror 6 herë.”
“Sa i përket pagave të lojtarëve, Real Madridi i ka tani dy prej lojtarëve më të paguar në botën e futbollit që tërë kohën janë rezervistë. Sa i përket borxhit, Barcelona thuhet të jetë 1.5 miliard euro borxh, dhe kjo përkundër faktit se Gjykata Evropiane e Drejtësisë gjeti se Real Madridi dhe Barcelona kanë përfituar nga ndihma ilegale e shtetit”.