Liga e Kampionëve vazhdon me përballje të zjarrta
Sot zhvillohen dy çerekfinalet tjera të Ligës së Kampionëve, aty ku Atletico Madrid e pret Dortmundin, ndërsa Barcelona udhëton te Paris Saint-Germain, për të përmbyllur ndeshjet e para të kësaj faze.
Real Madridi barazoi 3:3 me Manchester Cityn, ndërsa me barazim përfundoi edhe çerekfinalja tjetër e natës së kaluar, ku Bayern Munich mori rezultat pozitiv në udhëtim te Arsenali.
Padyshim që ndeshja kryesore do të jetë në Parkun e Princave, me Kylian Mbappen që do të kërkojë ta çojë klubin e tij drejt një lavdie, duke ditur që kontrata e tij përfundon këtë verë.
PSG-ja po kalon në formë të mirë dhe pothuajse ka fituar titullin në Ligue 1, pasi të udhëhequr nga Luis Enrique kanë ikur nga vendi i dytë me 10 pikë dhe kanë 27 ndeshje radhazi pa humbje në të gjitha garat.
Situatë krejt tjetër është te Barcelona. Katalunasit pasi fituan titullin kampion sezonin e kaluar, sot për sot kanë zhgënjyer dhe në të vetmën garë që kanë mbetur për trofe është Liga e Kampionëve, pasi që vështirë mund t'i afrohen Real Madridit në La Liga.
Skuadra që po drejtohet nga Xavi Hernandez, i cili largohet në fund të sezonit, kanë hyrë në formë të mirë, duke mos humbur në 11 ndeshjet e fundit dhe prandaj ndeshja sot do të jetë shumë interesante mes tyre.
Te parisienët do të mungojë Hakimi, Kimpembe, Kurzawa, Mukiele dhe Rico, ndërsa Barcola është në dyshime. Te Katalunasit do të vazhdojë të mungojë Gavi, ndërsa as Balde nuk është i aftë për lojë. Pedri dhe De Jong janë në dyshime.
Ndeshja tjetër interesante do të jetë mes Atletico Madridit dhe Dortmundit.
Skuadra spanjolle eliminoi Interin në penallti dhe konsiderohen favorit ndaj skuadrës gjermane, me këta të fundit që nuk janë në formë edhe aq të mirë.
Të dy klubet kanë mungesa të mëdha, ku Hermoso, Depay, Lemar dhe Vitolo nuk janë të aftë te Atletico Madridi, ndërsa te Dortmund nuk do të luajë Malen, Bensebaini dhe Bamba.
Të dy ndeshjet zhvillohen me fillim nga ora 21:00 dhe do të luhen nën masa të rrepta sigurie, pas kërcënimeve të pranuara nga organizata terroriste ISIS.