Lidhjet rajonale të futbollit bëjnë fushatë për Agim Ademin, s’merren fare me dhunën e tmerrshme në futboll - NACIONALE

Lidhjet rajonale të futbollit bëjnë fushatë për Agim Ademin, s’merren fare me dhunën e tmerrshme në futboll

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhjet Rajonale të Futbollit të Kosovës (LRF) e kanë nisur një fushatë mbështetëse të hënën për presidentin e tanishëm të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, duke mos e marrë fare parasysh dhunën e tmerrshme që ndodhi dje në ndeshjen e Superligës mes Gjilanit dhe Ballkanit në Gjilan.

Lidhjet Rajonale, si anëtare të FFK-së, janë përgjegjëse për organizimin, administrimin dhe udhëheqjen e garave të futbollit në rajonin e vet në bazë të Statutit të federatës.

Dhe një ditë pasi portieri i Ballkanit Stivi Frashëri u sulmua dhunshëm në fushën e lojës nga disa tifozë të Gjilanit, të cilët e pushtuan fushën pasi skuadra e tyre e kishte barazuar rezultatin kundër liderit të Superligës në kohën shtesë, duke e hedhur për toke dhe shkelmuar në kokë portierin 31-vjeçar – Lidhjet Rajonale të Prizrenit dhe Pejës nisën fushatën për Ademin.

Roli i Lidhjeve Rajonale në zgjedhjet për president të FFK-së janë shumë të rëndësishme, pasi kandidatët për president mund ta gjejnë mbështetjet për vota tek to.

LRF-ja e Prizrenit dhe ajo e Pejës i mbështetën kryetarin e tanishëm Ademi përmes postimeve në rrjetin social Facebook, dy ditë para zgjedhjeve kontroverse të 6 prillit në FFK.

Dhuna të dielën në Gjilan, si pasojë e të cilës ndeshja u pezullua në kohën shtesë me rezultatin 1:1, ishte e tmerrshme dhe e njollosi edhe më shumë futbollin në vend.

Më së keqi nga ajo e pësoi portieri 31-vjeçar nga Shqipëria, i cili i humbi ndjenjat për disa minuta dhe u dërgua në spital me ambulancë si pasojë e shkelmave që i mori nga tifozët e Gjilanit.

Frashëri u lirua nga spitali të dielën vonë dhe është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore tani.

Nuk janë vetëm LRF-të që kanë heshtur për dhunën në Gjilan, pasi këtë e ka bërë edhe vetë shefi i futbollit në vend, Ademi, i cili njihet si personalitet shumë i gjallë në rrjetin social Facebook dhe shpesh edhe përmes uebsajtit të FFK-së.

Përgjegjëse pjesërisht për dhunën në Gjilan duhet të mbahet edhe federata, si organizatore e Superligës, e cila lejoi që ndeshja të zhvillohej në një stadium në ndërtim e sipër dhe pa rrethoja mbrojtëse në tribuna, e cila ua mundësoi tifozëve pushtimin e fushës sa hap e mbyll sytë.

Ditë më parë, Ademi ishte mburrur për investime në stadiumet e vendit, përmes një videoje që tregonte për rregullimin e dhomave të zhveshjes, por jo edhe për sigurinë, e cila është më themelorja për zhvillimin e një ndeshjeje me mijëra tifozë.

Dhuna në Gjilan ndodhi vetëm tri ditë para zgjedhjeve kontroverse për president në FFK, ku Ademi do të kërkojë një mandat të dytë, pasi ia hapi rrugën vetes për të kandiduar i vetëm dhe i pa sfiduar, me kandidaturën e Gramoz Vokrrit që nuk u pranua nga komisioni i FFK-së.

60-vjeçari ka histori dhune si shef i futbollit në vend, megjithatë. Ai dyshohet se në shtator të 2019 e kishte sulmuar mbrapa shpinës doktorin e Kombëtares U21 të Kosovës, Mehmet Maxhunin, në parkun e Gërmisë në kryeqytet.

Dhe së fundmi, muajin e kaluar, Ademi u arrestua dhe u mbajt një natë në paraburgim në stacionin policor në Prishtinë, nën dyshimin për sulm fizik ndaj zyrtarit të FFK-së për marrëdhënie me jashtë, Artan Govori.

Lajme të ngjashme