Lewandowski me deklaratë që mund të mos iu pëlqejë tifozëve të Barçës: Tiki-taka s'bën më, futbolli ka ndryshuar
Robert Lewandowski beson se stili i lojës së Barcelonës tiki-taka, për të cilën njihet klubi katalonas, mund të mos funksionojë më, duke thënë se futbolli ka ndryshuar shumë.
Në Barcelonë gjithmonë, për çdo lojtar, ka qenë e qartë mënyra se si duhet të luhet futboll, pra tiki-taka, duke e shëtitur topin në mesfushë me pasime të shpejta e shkurtra deri në krijimin e hapësirave për shënimin e golave.
Por, Lewandowski, i cili iu bashkua Barçës në verë, mendon se ky futboll me të cilin klubi korri suksese të papara para më shumë se 10 vite, ka ndryshuar shumë dhe se ekipi i tanishëm i Barçës duhet të luajë futboll ndryshe, transmeton Nacionale.
“Në muajin tim të parë këtu e kam parë se këtu ka shumë potencial, por në futboll është e vështirë t’i ndryshosh gjërat brenda javës apo muajit”, tha Lewandowski për faqen zyrtare të klubit.
“Duhet të kesh durim, sepse ndryshimi merr kohë. Tani mund ta shoh se çdo gjë është në rrugën e duhur sepse shumica e lojtarëve janë ende të rinj”, shtoi ai.
Sulmuesi polak është i vetëdijshëm se Barcelona e ka identitetin e lojës së vet, por kërkon që të përshtatet me rrethanat e reja.
“Unë e di që ADN-ja e Barcelonës thotë se ne duhet të luajmë futboll të bukur, por ne duhet edhe ta pranojmë se futbolli ka ndryshuar. Për shembull, mënyra se si ka luajtur Barcelona para 10 viteve mund të mos funksionojë më”, nënvizoi ai.
“Ne duhet të përshtatemi me futbollin dhe të dëshmojmë më të mirën tonë”.

Lewandowski e lartësoi trajnerin Xavi dhe foli edhe për punën që po e bën nën urdhrat e tij.
“Xavi ishte lojtar i madh dhe mesfushor, prandaj ai mund ta shihte se çfarë po ndodhte nga pozita të caktuara”, tha ai.
“Ai gjithmonë thotë se ne duhet të jemi në gjendje ta ndryshojmë dinamiken e lojës sonë, dhe se nuk duhet të presim deri në përfundim të pjesës së parë për të bërë ndryshime”.
Për sulmuesin polak ka qenë një fillim shumë i mirë i karrierës në Camp Nou, pasi ai i ka shënuar 15 gola për t’i ndihmuar Barçës ta krijojë një epërsi të mirë pikësh në krye të tabelës në La Liga.
Barcelona i ka nëntë pikë më shumë se rivali Real Madrid në garë për titull këtë sezon në La Liga, kur kanë mbetur vetëm edhe 14 ndeshje deri në fund të kampionatit.
Lewandowski, në anën tjetër, është në rrugë të mirë për ta fituar Këpucën e Artë në Spanjë, pasi ka katër gola më shumë se Karim Benzema.
