Lëndimi ia pamundësoi vazhdimin e finales, Nora Gjakova stoliset me medalje të argjendtë në Baku Grand Slam - NACIONALE

Lëndimi ia pamundësoi vazhdimin e finales, Nora Gjakova stoliset me medalje të argjendtë në Baku Grand Slam

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, ka bërë krenarë sërish një popull me suksesin e saj. Ajo fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slam Baku 2024, vetëm sepse lëndimi nuk e la të paraqitej deri në fund të finales së kategorisë deri në 57 kilogram.

Gjakova ishte fantastike në këtë turne, duke rrëzuar kundërshtaret një pas një.

E filloi nga raundi i parë, kur u përball me Nino Loladze nga Gjeorgjia, të cilën e mposhti me Ippon.

Vazhdoi në raundin e dytë ndaj garuesës nga Azerbajxhani Acelya Toprak, të cilën e mposhti me Waza-ari.

Në çerekfinale ishte një luftë personale e Norës. Aty u përball me serben Marica Perisic, të cilën e gjuajti për tatami, për ta fituar me Waza-ari dhe për të siguruar një vend në gjysmëfinale.

Në mesin e katër garueseve më të mira, për një vend në finale, luftoi me holandezen, Julie Beurskens, të cilën njëjtë si në dy luftat e fundit e fitoi me Waza-ari, për të arritur në finalen e madhe, apo thënë shkurt, duke i sigurar të paktën një medalje Kosovës.

Në finale kishte përballë kanadezen Christa Deguchi, por kosovarja nuk ishte në gjendje aq të mirë fizike dhe nuk arriti ta çonte deri në fund luftën, për t'u pajtuar me medalje të argjendtë.

Brenda katër muajve të fundit, kjo është medalja e tretë për Nora Gjakovën, ku më herët fitoi dy të bronzta, gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.

Gara e radhës për Norën është në Grand Slam Tbilisi, aty ku fitin e fundit zuri vendin e dytë.

Në Baku Grand Slam 2024, Kosovën do ta përfaqësojnë në dy ditët në vazhdim edhe tre garues, ku përfshihen Lauar Fazliu, Dardan Cena dhe Loriana Kuka.

Lajme të ngjashme