Legjenda amerikane Williams njofton se do të pensionohet nga tenisi pas US Openit - NACIONALE

Legjenda amerikane Williams njofton se do të pensionohet nga tenisi pas US Openit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Serena Williams ka lënë të kuptohet se do të pensionohet nga tenisi, duke thënë se pas grand slamit US Open në shtator do të
“evoluoj nga tenisi në gjëra të tjera në jetë”.

Në një shkrim për revistën Vogue, fituesja e 23 titujve grand slam tha se nuk i pëlqen ta përdorë fjalën “pensionim” kur foli për largimin nga tenisi për t’u marrë me, siç i përshkroi, gjëra më të rëndësishme në jetë.

Në një mesazh shoqërues në Instagram, ajo shkroi: “Numërimi mbrapsht ka filluar”.

“Do t’i shijoj javët e ardhshme”, tha tenistja 40-vjeçare.

Williams u rikthye në fushën e tenisit në Wimbledon në qershor, pas një lëndimi të gjatë pas të cilin kishin nisur thashethemet për pensionimin e saj.

Ajo thotë se do të luajë në US Open 2022, ku i fitoi gjashtë titujt, në fund të këtij muaji.

Williams ka fituar tituj grand slam më shumë se çdo teniste tjetër në Open Era dhe më së shumti në histori pas Margaret Court, që i ka 24 tituj.

“Fatkeqësisht nuk isha e gatshme për ta fituar Wimbledonin këtë vit. Dhe nuk e di nëse do të jem gati për të fituar në Nju Jork. Por do të përpiqem”, shkroi ajo.

“Kurrë nuk më ka pëlqyer fjala pensionim. Nuk më duket si fjalë moderne. Këtë gjë e kam menduar si tranzicion por dua të jem e ndjeshme në mënyrën se si e përdor këtë fjalë, e cila ka domethënie të rëndësishme dhe shumë specifike për një komunitet njerëzish”.

Ajo shtoi: “Mbase fjala më e mirë për ta përshkruar atë që do ta bëj është evoluim. Jam këtu për t’ju thënë se unë po evoluoj nga tenisi drejt gjërave të tjera më të rëndësishme për mua”.

Titulli i saj i parë grand slam erdhi në vitin 1999 në US Open, kur ishte vetëm 17-vjeçare.

Williams nuk ka fituar më titull grand slam që prej triumfit në Australian Open në vitin 2017.

Lajme të ngjashme