Lautaro: Gjithmonë dua ta jap më të mirën në fushë, ëndrra ime është Kupa e Botës
Lautaro Martinez ka treguar se çka e cilëson si atë më së shumti në fushë e pastaj e ka prekur edhe pjesën e ëndrrës së tij, e cila është ta fitojë Kampionatin Botëror me Argjentinën.
24-vjeçari pati një sezon të mirë nën urdhrat e Simone Inzaghit, duke shënuar 21 gola në 34 paraqitje në Serie A, dhe tani ai është duke kërkuar ende më shumë nga vetja e tij, ku po përgatitet në veçanti për Kupën e Botës që mbahet në fund të këtij viti në Katar.
Sulmuesi argjentinas gjithashtu mezi pret të bashkohet sërish në fushë me Romelu Lukakun, duke krijuar dyshen e njohur si LU-LA.
Lautaro në intervistën e tij e filloi për kualitetet e tij më të mira dhe kënd e konsideron si model në jetë.
“Mendoj se më e mira e imja është se jap gjithmonë më të mirën në fushë, mundohem në maksimum. Modeli im për të jetuar bazohet në babin tim.”
Sulmuesi i Interit preku edhe ëndrrën e tij, kur kanë mbetur vetëm disa muaj nga Kampionati Botëror.
“Një pjesë e ëndrrës time është bërë realitet, po luaj në Kombëtaren e Argjentinës. Pjesa tjetër e ëndrrës është ta fitojmë Kupën e Botës në Katar. Synimet e mija janë të bëjë më të mirën në fushë, të rritem çdo ditë, ndërsa cilësitë e mija janë, puna e fortë dhe gjithmonë të marrë përgjegjësitë se çfarë bëjë.”
12 muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm për Lautaron, pasi që ai ka mundësinë të luajë një rol vendimtar te Interi, së pari duke synuar të fitojë Kupën e Botës për Argjentinën, e cila do të ishte e para që nga viti 1986 kur e kishte fituar Maradona, dhe pastaj të synojë titullin e Serie A-së me Interin pasi sezonin që kaloi ia rrëmbeu Milani në çastet e fundit.