Largimi nga Tirana, kalimi në Rumani dhe bisedimet me Ballkanin: Vesel Limaj zbulon prapaskenat - NACIONALE

Largimi nga Tirana, kalimi në Rumani dhe bisedimet me Ballkanin: Vesel Limaj zbulon prapaskenat

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Mesfushori Vesel Limaj ndihet i lumtur me transferimin te skuadra e madhe rumune, Afc Hermannstadt duke synuar të mbërrijë sa më lartë.

26-vjeçari ishte një ndër emrat më të përfolur në afatin kalimtar dimëror, pasi dëshironte largimin nga klubi shqiptar Tirana me të cilët fitoi titullin e kampionit një vit më parë.

Në një intervistë për Gazetën Nacionale, Limaj fillimisht foli për 18 muajt në fanellën ‘bardhë e blu’, ku mbërriti suksese të shumta.

Kam kaluar 18 muaj shumë të mirë te Tirana. Ishte kënaqësi që të luaj për klubin më të madh në Shqipëri. Ishte një vit shumë i suksesshëm ku arritëm të shpallemi kampion”.

Limaj konfirmoi se një ndër arsyet e largimit ishte minutazha e ulët, duke fajësuar lëndimet e shpeshta që pësoi në fillimin e edicionit.

Mund të them që është një ndër arsyet (minutazha e ulët), fatkeqësisht e kam filluar kampionatin me lëndimi, por qëllimi im ishte që të transferohem në një kampionat më të fortë”.

Tutje ai komentoi negociatat me klubin rumun, duke shtuar se është i nderuar që do të luajë në një kampionat mjaftë të fortë.

Normalisht biseduam me klubin, ku arritëm një marrëveshje dhe unë ndihem shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi që gjithashtu është në një kampionat shumë të fortë”.

Mesfushori nuk hezitoi të flet edhe për ofertat, duke konfirmuar bisedimet me skuadrën e Ballkanit, mirëpo ka pasur oferta edhe nga klubet e tjera shqiptare, si dhe nga Maqedonia e Veriut.

Po kam pasur edhe oferta të tjera, si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Isha në bisedime me Ballkanin, mirëpo dëshira ime ishte që të dilja jashtë në një kampionat shumë të fortë”.

Në fund, ai premtoi se do të jep maksimumin që të ndihmojë skuadrën sa më shumë me gola dhe asistime.

Synimet e mia këtu janë që të jap maksimumin në çdo ndeshje, që ta ndihmoj skuadrën me gola ose asistime dhe kuptohet si çdo futbollist që të ngritëm sa më lart”, përfundoi ai për Nacionalen.

Gjatë këtyre gjashtë muajve, Limaj bëri 20 paraqitje në të gjitha garat në fanellën e Tiranës, duke kontribuar me dy gola në përgjithësi.

Lajme të ngjashme