Lajmi i vitit për sportin kosovar - Kosova mikpritëse e Lojërave Mesdhetare 2030 - NACIONALE

Lajmi i vitit për sportin kosovar - Kosova mikpritëse e Lojërave Mesdhetare 2030

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Në shtator të këtij viti erdhi lajmi më i bujshëm për sportin në Kosovë. Në vetëm 15 vite shtet, e tetë vite si anëtar i Lojërave Mesdhetare, Kosova do të jetë nikoqire e këtyre lojërave, pasi në shtator të këtij viti me 55 vota pro e fitoi të drejtën e organizimit për vitin 2030.

Me tetë shtator të këtij viti në qytetin grek Heraklion, asambleja e përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare mbështeti Prishtinën me 55 vota pro nga 66, ku tetë vende ishin kundër dhe tre të tjera abstenuan.

“Historia e Kosovës e shkruar në Heraklion. Urime Kosovë”, u postua nga Komiteti Olimpik i Kosovës në Facebook, pas kësaj arritje.

Kjo fitore e madhe për Kosovën do të ishte e pamundur pa ndihmën e Shqipërisë, me këta të fundit që dhanë detin në shfrytëzim, duke ditur se në Lojërat Mesdhetare janë të përfshira edhe gara që zhvillohen vetëm në det.

Lojërat Mesdhetare mbahen çdo katër vite, me Kosovën që prezencën e parë e kishte në vitin 2018 në Spanjë, ndërsa në vitin 2022 në Algjeri garuesit tanë shkëlqyen, duke marrë me vete gjashtë medalje (tre të arta dhe tre të bronzta).

Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 është lajm i madh për Kosovën, pasi kjo do ta ngrit vetëdijen për investime të mëdha në infrastrukturën sportive, që realisht është në gjendje të mjeruar momentalisht, por që janë bërë premtime të mëdha nga Qeveria, KOK dhe Komunat.

Image

24 disiplina të ndryshme sportive, me mbi 5000 atletë nga 26 shtete do të jenë në këto Lojëra Mesdhetare.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me numrin një të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqin, për të komentuar për këtë sukses historik.

Në pyetjen se si është pritur kjo fitore e madhe për Kosovën, pra organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030, Krasniqi tha:

“Marrja e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 është një arritje historike dhe madhështore, që do të ndikojë në zhvillimin e Sportit në Kosovë, infrastrukturës dhe investimeve të tjera siç janë burime njerëzore. Padyshim, jo vetëm në KOK, në Qeveri, e komuna, por marrja e kësaj ngjarje është pritur jashtëzakonisht mirë edhe nga populli ynë, sepse përveç sportit dhe sportistëve, prej Lojërave Mesdhetare përfitues do të jenë edhe turizmi, hoteleria dhe bizneset tjera.”

Siç dihet tashmë, Shqipëria i doli në krah edhe një herë Kosovës, duke i dhuruar detin në shfrytëzim për lojërat detare, por a kishte ndonjë hezitim nga ana e tyre na tregon Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, në përgjigjen e tij për Nacionale.

Image

“Një vend pa pasur dalje në det nuk mund të organizojë Lojërat Mesdhetare dhe kjo ishte sfidë në vete pasi në Asamblenë Gjenerale të ICMG, u deshtë të ndërrohet ky nen në statut.
Marrë parasysh qe sporti i lundrimit zhvillohet vetëm në det, atëherë është dashur të përfshihet Shqipëria si partnere në organizim.
Bashkëpunimi ynë i frytshëm me KOKSh-in, konkretisht presidentin Fidel Ylli ka bërë qe në këtë drejtim ta kemi derën e hapur tek Qeveria shqiptare me kryeministrin Edi Rama, i cili pa hezitim ka mbështetur projektin tonë, sikurse Bashkia e Durrësit ku do të zhvillohet lundrimi, për çka shfrytëzojmë rastin t'i falënderojmë përzemërsisht.”

Lojërat Mesdhetare 2030 janë të parapara të mbahen me fillim nga 22 korriku deri më tetë gusht, me kryeqytetin Prishtina që do të jetë mikpritëse e ceremonisë së hapjes dhe mbylljes së garave.

Lajme të ngjashme