Lajm i mirë për Barcelonën, Real Madridi mposhtet në udhëtim nga Villarreali
Kampioni në fuqi i Spanjës, Real Madridi, ka bërë një hap fals, duke u mposhtur në udhëtim te Villarreali me rezultat 2:1, kështu duke mbetur me pikë të barabarta me liderin momental, Barcelonën, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Nëndetësja e verdhë ishte dukshëm skuadra më kërkuese në fushë gjatë pjesës më të madhe të takimit, me pjesën e parë që u treguan disa herë të frikshëm para portës, ndërsa Real Madridi asnjëherë nuk tregoi fytyrën e vërtetë të saj.

Edhe pse vendasit ishin shumë më të mirë në pjesën e parë, duke krijuar presion vazhdimisht te mbrojtja e ‘mbretërve’, asnjë gol nuk u shënua, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve pa gola.
Të tre golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë.
Me të filluar pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 47-të, Villarreali kaloi në epërsi me anë të anësorit Yeremi Pino, i cili u ndihmua edhe nga një devijim i mbrojtësit të Real Madridit, për rezultatin 1:0.
Kundërpërgjigja e Real Madridit nuk vonoi. Por fillimisht ishte Karim Benzema që humbi një rast të pastër shënimi, ku goditi në lojtarët vendas, por paraprakisht para se francezi të vinte në kontakt me topin Foyth i vendaseve luajti me dorë.
Prekjen e topit me dorë gjyqtari i takimit nuk e pa, por VAR intervenoi dhe u akordua penallti, nga ku Topi i Artë i vitit që lamë pas u tregua i saktë për 1:1.
Katër minuta më vonë, tani në pjesën tjetër të fushës, u akordua një penallti. Ishte David Alaba që rrëshqiti dhe padashje erdhi në kontakt me topin, ku gjyqtari kryesor i takimit pa hezitim dha 11-metërsh.
Sulmuesi spanjoll, Gerard Moreno, ishte shumë i qetë dhe shënoi gol nga pika e bardhë për të kthyer epërsinë te nëndetësja e verdhë, për rezultatin 2:1.
Ky doli të ishte rezultati përfundimtar i takimit, me Real Madridin që bënë hap fals në kërkim të mbrojtjes së titullit kampion, ndërsa Villarreal qëndron në garë për të hyrë në katërshen më të mirë, për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.
Përmbledhja nga takimi Villarreal - Real Madrid: