Kur Jose Mourinho s’e lejoi kalimin e Chiellinit në Real Madrid
Njëri prej mbrojtësve më të mirë të gjeneratës së tij, Giorgio Chiellini, ishte buzë kalimit në Real Madrid, para se të ndërhynte Jose Mourinho për ta dështuar marrëveshjen mes tyre.
Mundësia e kalimit të italianit në Real Madrid është diskutuar disa herë në të kaluarën dhe ai vetë foli për këtë çështje në një intervistë me MARCA-n.
Në vitin 2010 Real Madridi i kishte bërë ofertë Juventusit për Chiellinin, por Mourinho kishte pasur dëshira të tjera.
“Isha afër kalimit në Real Madrid më 2010, pra para shumë kohësh, por s’ndodhi shkaku i Mourinhos”, tha Chiellini për gazetën spanjolle.

“Por, mendoj se isha me fat që e kalova tërë karrierën në Juventus sepse bëra historinë me Juventusin”, nënvizoi ai.
“Por natyrisht, Real Madridi është ekip fantastik gjithmonë”.
Pse nuk nënshkroi Chiellini me Real Madridin më 2010?
Në librin e tij, Chiellini zbuloi pakëz më shumë rreth bisedimeve të tij me Real Madridin në pikun e karrierës së tij në moshën 25-vjeçare.
“Në vitin 2010 kam mundur t’i bashkohesha Real Madridit, dhe në vitin 2011 Manchester Cityt”, shkroi italiani në autobiografinë e tij.
“Në rastin e Real Madridit, menaxheri im foli me përfaqësuesit e Real Madridit, isha shumë afër të shkoja atje”.
Ai shtoi: “Por Jose Mourinho sapo kishte ardhur dhe ai kërkoi me çdo kusht ta ketë në skuadër bashkatdhetarin e vet Ricardo Carvalho, prandaj Juventusi më mbajti me kënaqësi”.
Carvalho i zhvilloi vetëm 77 ndeshje për Real Madridin nën urdhrat e Mourinhos, ndërisa Chiellini qëndroi në Torino për 12 vitet në vijim.
Gjatë asaj kohe, ai i zhvilloi 559 ndeshje në fanellën e zonjës së vjetër dhe e fitoi titullin në Serie A nëntë herë.
Këtë verë, 37-vjeçari iu bashkua klubit nga MLS, Los Angeles FC, duke nënshkruar kontratë njëvjeçare.
