Kupa e Botës 2022: Maroku dhe Palestina
Flamuri i Palestinës ka qenë një faktor kyç i ekipit kombëtar të Marokut gjatë festimit në fushën e lojës, gjë që ka nxitur lëvdata nga disa transmetues në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore.
Pas fitores kundër Portugalisë, mesfushori Abdelhamid Sabiri e publikoi një fotografi në Instagram ku ai shihet i mbështjellë me flamurin palestinez.
Në përshkrim ai e shkroi vetëm një fjalë në gjuhën angleze: “Liri”, si dhe një emotikon të paqes.
Ky është një imazh që është përsëritur nga tifozët nëpër rrugë, siç është parë edhe në televizionin shtetëror maroken.

Kjo veçse e ka bërë edhe më interesant rrëfimin më të mirë të këtij turne, ku një komb arab po e përdor platformën më të madhe globale në tokën arabe për ta ngritur një çështje shumë të rëndësishme për shumë njerëz në këtë rajon.
Kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme kur merret parasysh fakti se qeveria e Marokut i normalizoi marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në vitin 2020 – një vend që ishte kundërshtuar brenda vendit.
Pas triumfit kundër Portugalisë, televizioni shtetëror al-Aloula transmetoi reagimet nga territoret e okupuara palestineze, me prezantuesin që theksoi: “Rripi i Gazës është shndërruar në pjesë të Marokut gjatë këtij turneu”.

I njëjti televizion i transmetoi edhe reagimet nga komuniteti maroken në Izrael, për të cilët thuhet se “e përcollën këtë ndeshje me plot entuziazëm dhe sinqeritet, duke i uruar fitore ekipit kombëtar maroken”.
Maroku është bërë ekipi i parë afrikan që arrin në gjysmëfinale të Kupës së Botës, ku do të përballet me Francën sot në mbrëmje në kërkim të historisë shtesë.
Fituesi i këtij takimi do të përballet me Argjentinën në finalen e së dielës.
