Kupa e Amerikës | Argjentina e fillon rrugën drejt mbrojtjes së titullit, triumfon me lehtësi ndaj Kanadasë
Kombëtarja e Argjentinës e udhëhequr nga Lionel Messi, e ka filluar në mënyrën më të mirë rrugën drejt mbrojtjes së titullit të Kupës së Amerikës, duke fituar 2:0 në xhiron e parë të grupeve ndaj Kanadasë.
Argjentina fitoi Kupën e Amerikës tre vite më parë, që më pastaj vijoi me titullin e Kupës së Botës një vit më vonë, e sot nisi rrugëtimi i ri.
Kampionët në fuqi dominuan takimin në turneun që po organizohet në ShBA, duke pasur shumë raste shënimi, por që shënuan vetëm dy gola, me Messin që dështoi të realizonte.
45 minutat e para u mbyllën me barazim 0:0, ndërsa në pjesën e dytë u shënuan dy gola.
Ishte fillimisht ylli i Manchester Cityt, Julian Alvarez, që shënoi për 1:0 në minutën e 49-të, pasi Messi dërgoi një top te Mac Allister, me këtë të fundit që asistoi te goli.
Ndërsa golin e dytë e shënoi ylli i Interit, Lautaro Martinez dy minuta para fundit të takimit, duke çuar topin lehtësisht në rrjetë pas një pasimi me plotë magji nga fituesi i shtatë herë Topit të Artë.
Por Messi nuk pati natën e tij më të mirë, ndonëse asistoi.
Ai humbi dy raste të arta në pjesën e dytë, që rrallë herë i ndodhë atij. Ishte fillimisht minuta e 65-të kur dështoi të shënonte i vetëm me portierin.
Ndërsa një rast pak a shumë të njëjtë pati edhe në minutën e 79-të, duke dështuar dy herë gjatë një aksioni ta çonte topin në rrjetë.
Pavarësisht rasteve të humbura, Lionel Messi u përfshi në të dy golat, dhe ishte më meritori për fitoren 2:0, duke qenë lojtari më i vlerësuar në fushë.
Argjentina në grupin A gjendet edhe me Kilin e Perunë, por që duket se lehtësisht do t'i kalojë grupet, duke mbetur favoriti kryesor për të triumfuar në fund.