Kumbulla e Laçi: Në fushë ndaj Ukrainës dalim vetëm për fitore
Kombëtarja e Shqipërisë sot udhëton për në Pragë, aty ku do ta zhvillojë pas dy ditësh ndeshjen e parë të sezonit të ri të Ligës së Kombeve ndaj Ukrainës në stadiumin Epet Arena.
Qazim Laçi dhe Marash Kumbulla dolën në konferencë për media këtë mëngjes për të treguar se si kanë shkuar përgatitjet dhe synimet e tyre në Ligën e Kombeve.
Laçi tha se përballja ndaj Ukrainës është e veçantë për të, pasi zhvillohet në stadiumin ku luan klubi i tij, Sparta e Pragës.
Liga e Kombeve dhe ndeshja e parë me Ukrainën – Mezi po presim që të vazhdojmë një aventurë të re në Ligën e Kombeve. E kemi për detyrë të bëjmë maksimumin pas paraqitjeve në Evropian. Për mua është një ndeshje e veçantë me Ukrainën sepse luajmë në Çeki te stadiumi i klubit ku luaj.
Ndeshja me Gjeorgjinë në “Air Albania”– Janë kundërshtarë të fortë, edhe Ukraina dhe Gjeorgjia ishin pjesë të Evropianit. Është shumë e rëndësishme që tifozët të vijnë e të na mbështesin si në Gjermani. Do të jetë një moment i bukur për të gjithë lojtarët dhe sidomos për të gjithë tifozët që do të vijnë në stadiumin “Air Albania”, pasi është ndeshja e parë pas Evropianit. Kemi shumë nevojë për tifozët për mbështetjen e tyre, si ndaj Gjeorgjisë dhe në ndeshjet e tjera.
Marash Kumbulla u shpreh se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e vështirë, por theksoi se Kombëtarja do të futet në fushë vetëm për fitore. Mbrojtësi kuqezi tregoi se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe se ekipi është gati për ndeshjen ndaj Ukrainës. Ndër të tjera, Kumbulla tha se në “Air Albania” me mbështetjen e tifozëve gjithçka do të jetë më e thjeshtë.
Ndeshja me Ukrainën – Janë kundërshtarë shumë të vështirë, sidomos Ukraina. Si gjithmonë do të futemi në fushë për të fituar. Me Gjeorgjinë kemi edhe tifozat pasi luajmë në shtëpinë tonë.
Përgatitjet për dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve – Besoj se grupi është gati, jemi stërvitur me intensitet të fortë dhe jemi gati për dy ndeshjet. Ukraina ka ekip shumë të fortë, ka lojtarë të mirë por edhe ekipi jonë ka shumë cilësi. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe e vështirë, shpresojmë që të fitojmë.
Ndeshja ndaj Gjeorgjisë dhe objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve – Tifozat do të na mbështesin si gjithmonë, ashtu si në Evropian në Gjermani por edhe në shtëpi në Tiranë. Edhe ndeshja ndaj Gjeorgjisë do të jetë e vështirë, por me mbështetjen e tifozëve do të jetë më e thjeshtë. Do të futemi në fushë për të fituar, por të shohim dy ndeshjet e para. Objektivi është gjithmonë për të fituar.
Shqipëria përballet me Ukrainën në udhëtim më 7 shtator, teksa tre ditë më vonë në Air Albania e pret Gjeorgjinë, në dy ndeshjet e para të sezonit të ri të Ligës së Kombeve.