Ku është Cristiano Ronaldo? Pse data e rikthimit të tij mbetet mister? - NACIONALE

Ku është Cristiano Ronaldo? Pse data e rikthimit të tij mbetet mister?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Erik ten Hag thotë se mezi pret ta mirëpresë rikthimin e Cristiano Ronaldos në folenë e Manchester Unitedit, por ai nuk është i sigurt kur do të rikthehet sulmuesi portugez.

Ronaldo është lënë jashtë skuadrës deri tani për arsyeje personale, derisa thashethemet për të ardhmen e tij vijojnë pasi u kuptua se ai dëshiron të largohet.

Megjithatë, Ten Hag ka këmbëngulur se 37-vjeçari do të qëndrojë në Old Trafford edhe sezonin e ardhshëm dhe është i etur ta shohë se si ai do të përshtatet në stilin e ri të lojës.

I pyetur nëse është i shqetësuar për mungesën e superyllit portugez dhe nëse e di se kur do të rikthehet në ekip ai, Ten Hag tha: “Jo, është njëjtë sikur javën e kaluar. Natyrisht (Unitedi dëshiron që Ronaldo të rikthehet), fjala shqetësim nuk është mbase fjala e duhur”.

“Unë përqendrohem në lojtarët që i kam këtu dhe ata po bëjnë mirë. Ata janë në formë të mirë dhe më duhet të përqendrohem në këtë dhe ta zhvilloj këtë”.

“Mezi pres që ai të rikthehet dhe pastaj ta integrojmë atë në ekip”, tha Ten Hag për Ronaldon.

Lojtarët si Anthony Martial, Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Bruno Fernandes janë përshtatur shumë mirë njëri me tjetrin deri tani në ndeshjet përgatitore dhe Ronaldo do ta forconte edhe më shumë këtë sulm.

“Ata po lidhen shumë mirë së bashku”, nënvizoi ai.

A do të largohet Ronaldo nga Man United?

E ardhmja e Ronaldos ka qenë në dyshim që prej se ai e shprehu dëshirën për t’u larguar nga Unitedi para fillimit të sezonit 2022/23.

Është përfolur se Ronaldo i është vetëofruar klubeve si Chelsea, Atletico Madrid, Paris Saint-Germain, Bayern Munich, Real Madrid dhe Inter, në përpjekje për ta gjetur një klub që luan në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Por asnjëri prej klubeve të lartpërmendura nuk ka shprehur gatishmëri për ta afruar pesë herë fituesin e Topit të Artë.

Në ndërkohë, Ten Hag ka këmbëngulur se Ronaldo nuk është në shitje, madje duke lënë të kuptohet se ai mund të luajë në United edhe pas sezonit të ri.

“Po, ai mund të luajë edhe pas këtij sezoni, por, të jemi të sinqertë, unë kam nënshkruar marrëveshje trivjeçare, por në futboll kjo është afatshkurtër”, tha trajneri holandez.

Lajme të ngjashme