‘Kthehen’ netët evropiane, sot zhvillohen tetë ndeshje në Ligën e Kampionëve
Gara më e fortë e futbollit për klube fillon sot. Liga e Kampionëve rikthehet në ekranet tona me sezonin 2023/24, ku në mbrëmjen e sotshme janë të planifikuara tetë ndeshje.
Newcastle United do të luajë pas 25 viteve ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve, pas një sezoni të suksesshëm vitin e kaluar në Premierligë. ‘Laraskat’ luajnë si mysafirë ndaj Milanit me fillim nga ora 18:45.

Ndeshja tjetër në këtë orar do të jetë mes Young Boys – Leipzig, ndërsa gjashtë të tjera në orarin tradicional 21:00.
Padyshim ndeshja kryesore e këtij orari do të jetë mes Paris Saint-Germain dhe Borussia Dortmund, me të dy skuadrat që nuk kanë pasur edhe aq fillim të mirë të sezonit në ligat përkatëse.

Kampioni në fuqi, Manchester City, gjithashtu do ta zhvillojë ndeshjen e parë sot, në rrugën për ta mbrojtur titullin kampion, ku do ta presë Red Star Belgrade në Etihad Stadium.
Përballje tjetër interesante pritet të jetë ajo mes Lazios e Atletico Madridit në kuadër të grupit E, ndërsa ndeshja tjetër e këtij grupi është mes Feyenoord e Celtic.
Kampioni i Spanjës, Barcelona, do të takohet me skuadrën e Arbnor Mujës, Royal Antwerp, kurse ndeshja tjetër e grupit H zhvillohet mes Shakhtar Donetsk e Portos.