Kosova U21 pëson humbje të thellë nga Polonia U21
Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbje me rezultat të thellë 4:0 nga Polonia U21.
Kjo përballje u zhvillua në stadiumin Fadil Vokrri, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2025 për U21.
Ndonëse me gjasa minimale për kualifikim, Kosova hyri në këtë ndeshje me shanse matematikore, por që pas kësaj humbje më nuk ka asnjë shpresë për kualifikim.
Katër golat e Polonisë u shënuan në pjesën e parë.
Ishte Fornalczyk që e hapi serinë e golave për Poloninë në minutën e 21-të.
Pyrka e dyfishoi rezultatin vetëm katër minuta më vonë, teksa për 3:0 shënoi Marczuk në minutën e 31-të.
Për rezultatin 4:0 u kujdes Kaluzinski, që në minutat shtesë të pjesës së parë shënoi nga pika e bardhë.
Në 45 minutat në vazhdim nuk u shënua asnjë gol, me Kosovën U21 që pësoi humbje 4:0.
Me këtë humbje, Kosova zë vendin e katërt me 12 pikë të grumbulluara në nëntë ndeshje, teksa e ka edhe një ndeshje deri në përfundim të ciklit kualifikues, kur pas katër ditësh takohet me Estoninë në udhëtim.