Kosova U21 i kërkon pikët e plota ndaj Bullgarisë
Kombëtarja e Kosovës U21 ka synim vetëm fitoren në ndeshjen ndaj Bullgarisë, kështu ka deklaruar trajneri Afrim Tovërlani.
“Dardanët” e rinj do të përballen me bullgarët të premten në “Zahir Pajaziti” në Llap, në kuadër të kualifikuesve për Kampionatin Evropian “Euro 2024 U21”.
Para ndeshjes, “Toki” deklaroi se e njeh mirë Bullgarinë falë ndeshjes së fundit andaj synimi është fitorja
“Kundërshtarin e njohim sepse ndeshjen e fundit e kemi zhvilluar ndaj tyre në Bullgari. E dimë cilat janë pikat kryesore në dy repartet, sulm dhe mbrojtje, futbollisti kryesor i tyre është Nikollov i cili luan si sulmues dhe njëherësh është futbollisti më i rrezikshëm, çka do të thotë se ne duhet të kemi më shumë kujdes ndaj tij. Gjithmonë hyjmë për fitore, unë asnjëherë nuk flas për rezultate prandaj më mirë do ta presim fundin e ndeshjes”.
Kurse, sulmuesi Veton Tusha thotë se lojtarët asnjëherë s’kanë qenë më të motivuar se tani.
“Edhe pse kemi pasur pak ditë për stërvitje gjithçka ka shkuar mirë dhe të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin. Nuk kemi qenë kurrë më të motivuar se këto ditë dhe gjithçka po shkon mirë. Atmosfera është shumë e mirë, kanë ardhur disa futbollistë të rinj por shumë shpejt janë përshtatur me grupin. Në këtë ndeshje ne e njohim më mirë kundërshtarin por edhe ata na njohin më mirë për shkak të ndeshjes së kaluar që kishim, por shpresojmë se do ta kemi edhe përkrahjen e tifozëve dhe ne do ta japim maksimumin brenda në fushë”.
Ndërkohë, ardhja më e fundit Valton Behrami ka deklaruar se e kanë pritur për mrekulli dhe synimi i vetëm është fitorja.
“Për mua kjo është hera e parë që jam pjesë e Kosovës U21 dhe jam shumë i kënaqur me kombëtaren dhe qysh kam pritë ka qenë edhe më mirë. Nesër shpresoj në fitore. Ne luajmë vetëm për fitore, kundërshtari është i fortë fizikisht por nesër do të hyjmë në fushë sikur të hyjmë në luftë dhe do të arrijmë fitoren”.
“Dardanët i ftoj të na përkrahin në stadium. Ne jemi të rinjtë të cilët do të luajmë për Kombëtaren A. Ata na japin kurajë dhe fuqi për të fituar. Nesër ne luajmë edhe për Dardanët jo vetëm për vete”, shtoi Behrami.