Kosova s’lëviz, Shqipëria bie dy pozita në renditjen e FIFA-s - NACIONALE

Kosova s’lëviz, Shqipëria bie dy pozita në renditjen e FIFA-s

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës s’ka ndryshuar pozitë në renditjen e FIFA-s, derisa Shqipëria ka rënë dy vende më poshtë, pas ndeshjeve miqësore të muajit mars.

“Dardanët” e nisën epokën nën urdhrat e Franco Fodas duke triumfuar me rezultat minimal 1:0 ndaj Armenisë, por pastaj u mposhtën 2:0 në udhëtim te Hungaria.

Pavarësisht këtyre dy ndeshjeve, Kosova s’ka ndryshuar asnjë pozitë në renditjen e re të FIFA-s, duke qëndruar në vendin e 102-të.

Ndërkohë, Shqipëria në anën tjetër ka rënë dy pozitë më poshtë pas dy humbjeve të pësuara.

“Kuq e Zinjtë” fillimisht u mposhtën bindshëm nga Kili me rezultat 3:0, e pastaj edhe nga Suedia (1:0), duke i mbyllur këto miqësore në mënyrë shumë negative.

Shqipëria tani renditet në pozitën e 66-të nga vendi 64-të që ishte, ku mund të thuhet se kanë ndryshuar vendet me Uzbekistanin.

Përndyrshe, ka pasur disa ndryshime edhe në top 10 kombëtaret më të mira në botë, me Belgjikën që është ngritur në vendin e tretë duke e zëvendësuar Anglinë, e cila tani zë pozitën e katërt.

Portugalia gjithashtu është kthyer në vendin e gjashtë. Argjentina mbetet numri 1, para Francës.

Lajme të ngjashme