Kosova pëson disfatë edhe ndaj Irlandës
Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka pësuar edhe humbjen e dytë brenda tre ditëve, këtë herë në udhëtim te Irlanda.
“Dardanët” zhvilluan një tjetër paraqitje jo të mirë duke u mposhtur me rezultat 91:85 (24:12, 18:25, 31:21,18:27 ) nga Irlanda, që renditej e fundit në grupin për parakualifikimet për Kupën e Botës.
Irlanda e nisi më mirë që nga fillimi duke e mbyllur me dyfish pikë çerekun e parë (24:12).
Kosova arriti ta ngushtonte epërsinë në çerekun e dytë, ku e mbylli me shtatë pikë avantazh (18:25), sidoqoftë Irlanda ishte përpara në rezultatin e përgjithshëm pas pjesës së parë (42:37).
Kur të gjithë prisnin që Kosova të këndellet, “Dardanët” vepruan njëjtë si ndaj Zvicrës duke humbur dy çerekët vendimtar.
Irlanda në fakt e rriti edhe më shumë avantazhin kur e mbylli çerekun e tretë me 10 pikë para (31:21). Kosova pastaj dominoi krejtësisht në çerekun e fundit, megjithatë jo e mjaftueshme për ta fituar ndeshjen (18:27).
Kësisoj, Kosova qëndron në pozitën e tretë me katër pikë aq sa mbledhë Irlanda në vendin e fundit.