Kosova me sponsor të ri, arrihet marrëveshja me një kompani italiane - NACIONALE

Kosova me sponsor të ri, arrihet marrëveshja me një kompani italiane

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje sponsorizimi me një kompani italiane, duke i dhënë fund bashkëpunimit disavjeçar me kompaninë zvicerane “Fourteen”.

Kompania italiane e veshjeve dhe pajisjeve sportive “Errea” do të jetë sponsori kryesor i Kombëtares së Kosovës nga muaji mars, kur Kosova e nisën fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024.

Marrëveshja me Errean është trivjeçare, deri në vitin 2026.

“Federata e Futbollit e Kosovës ka lidhur marrëveshje me kompaninë italiane të veshjeve dhe pajisjeve sportive ‘ERREA’”, njoftoi FFK-ja në uebsajtin e vet zyrtar.

FFK-ja nuk ka dhënë shumë hollësi rreth marrëveshjes. Nuk dihet nëse Errea do të ketë dyqan përfaqësues në Kosovë dhe sa do të jenë çmimet e fanellave të ekipit kombëtar të Kosovës.

Kosova do të paraqitet me fanella të reja në kualifikime për Euro 2024, të dizajnuara dhe përgatitura nga Errea.

Marrëveshja përfshinë furnizimin trevjeçar me të gjitha pajisjet sportive që i nevojiten ekipeve kombëtare të Kosovës, njoftoi FFK-ja.

“Partneriteti disavjeçar i UEFA-s me kompaninë “ERREA” e ka bërë më të lehtë negocimin e Kosovës, për të lidhur këtë marrëveshje, e cila do të jetë me kohëzgjatje deri në vitin 2026”, thuhet në njoftimin e federatës.

Errea është sponsor edhe i kombëtareve të tjera, si Andorra, Bjellorusia, Qipro, Ishujt Faroe, Lihtenshtajni, Luksemburgu, Malta, San Marino e Kazakistani.

“Prezantimi i fanellave të reja të Kosovës do të bëhet së shpejti. Fanellat e reja kanë një dizajn modern e tërheqës, derisa janë krijuar me material cilësor, për të siguruar që ato të jenë të rehatshme për lojtarët gjatë ndeshjeve”, thuhet tutje në njoftim.

Ardhja e Erreas nënkupton se kompania zvicerane Fourteen nuk do të jetë më sponsor i Kosovës.

Fourteen ka qenë një zhgënjim i madh për shumë njerëz në Kosovë, pasi përveç pakënaqësive për cilësinë dhe dizajnin e fanellave, kjo kompani ka qenë shumë e paqasshme për tifozët dardanë.

Ajo nuk ka pasur dyqan zyrtar apo përfaqësues në Kosovë dhe çmimi i fanellave, të cilat mund të bliheshin vetëm online dhe porositë vononin me muaj të tërë, ka qenë tepër i lartë për kosovarët.

Një fanellë e Kosovës e prodhuar nga Fourteen ka kushtuar nga 80 deri në 100 euro.

Lajme të ngjashme